Botë

Bilanci dramatik i tërmetit, 200 mijë banesa për rindërtim në Itali

02.11.2016 14:37

Dridhjet e tokës në Itali nuk kanë të ndalur teksa njerëzit ende nuk e kanë marrë veten nga tërmeti i fuqishëm i para disa ditëve...

Edhe gjatë natës u regjistruan dhjetëra lëkundje të tjera sizmike, më e forta në shkallën 3.5 ballë.

Autoritetet po bëjnë bilancin e dëmeve dhe ai është dramatik. Janë rreth 200 mijë banesa të dëmtuara e që kanë nevojë për t’u rindërtuar apo sistemuar në kushte sigurie jete.

Rreth 100 është numri i komunave të përfshira në kraterin e lëkundjes së fortë sizmike, me dëme të pallogaritshme në ndërtesa e rrugë.

Mbi 11 mijë sipërmarrje që veprojnë në këtë territor aktualisht kanë ndërprerë aktivitetin e tyre.

Të pallogaritshme janë dëmet e pasurisë artistike e kulturore, mjaft kisha, katedrale, kulla, bazilika, site arkeologjike me histori shekullore janë shndërruar në gërmadha e pluhur.

Këto qyteza të vogla të prekura nga kjo tragjedi natyrore përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë mesjetare italiane e shkatërrimi i tyre është një humbje e madhe e pasurisë historike.

Gjatë kësaj jave lëkundjesh, mbi 22 mijë persona kanë kërkuar strehim në qendrat e emergjencës, 17.400 janë vetëm në territorin e rajonit të Marches.