Maqedoni
Bashkimi opozitar në “Argument”, Sela: Synojmë marrjen e legjitimitetit
02.11.2016 15:20
Aleanca për Shqiptarët mbetet e hapur për zgjerim të koalicionit me partitë tjera opozitare pas bashkimit parazgjedhor të LR-PDSh-së, UNITET-it dhe RDK-së së Vejsel Memedit...

Ndërkohë që jashtë koalicionit mbetën Lëvizja “Besa” dhe RDK e Fadil Zendelit. Kryetari i LR-PDSh-së, Zijadin Selës, në emisionin “Argument” thotë se synimi i Aleancës është marrja e legjitimitetit tek shqiptarët, që më pas bashkërisht me partitë tjera shqiptare të realizojnë interesat shqiptare.
“Ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi të interesuar për të bë një grup parlamentar, për t’u bë faktor politik dhe ne kemi qenë të interesuar për legjitimet, sot e kësaj dite ne jemi të interesuar për legjitimitet. Në emër të këtij principi kemi qenë të hapur bashkëpunues me çdo subjekt politik opozitar. Ndërkohë që siç duket, Lëvizja “Besa” është e interesuar për të marrë dy ose tre deputetë dhe do të jetë e kënaqur. Vlerësoj që problemet që i kanë shqiptarët nuk presin eksperimente dhe lëvizje tjera politike”,- deklaroi kryetari i LR–PDSh-së, Zijadin Sela.
Aleanca për Shqiptarët në këto zgjedhje premton formimin e shtetit binacional, decentralizmin e mirëfilltë të pushtetit dhe ndarjen e buxhetit me prerje lokale, zhvillimin e shëndetësisë dhe arsimin.
Por, analisti, Sefer Tahiri, kritikon statutin e LR-PDSh-së dhe marrëveshjen e Aleancës, ku shqiptarët trajtohen si bashkësi e jo si komb.
“Në asnjë moment nuk përmendet p.sh. që Maqedonia të përkufizohet si shtet binacional i kombit maqedonas dhe i kombit shqiptar, që për mendimin tim do të ishte definim më i saktë juridik – kushtetues. Edhe në marrëveshjen që e keni me UNITETI-n flitet se ky koalicion do të ketë për bazë disa pika të platformës dhe e para është barazia e plotë e dy bashkësive etnike më të mëdha në vend. Mendoj se partitë opozitare, konkretisht nuk duhet të flasin as në dokumente të këtilla, siç është programi i lëvizjes ose edhe marrëveshja, nuk duhet të flasin për statusin e shqiptarëve si një lloj bashkësie, si një lloj komuniteti, sepse komunitet mund të jetë një grup i qytetarëve, një grup social i cili realizon të drejta të ndryshme sociale, por jo edhe të drejta kombëtare”,- tha analisti, Sefer Tahiri.
Analisti, Albert Musliu, thotë se sikurse Aleanca për Shqiptarët, por edhe partitë tjera, do të duhet të jenë të kujdesshëm në premtime, sepse prej tyre do të kërkohet përgjegjësi.
“Dallimi prej zgjedhjeve të kaluara është se kësaj here qytetarët do të dëgjojnë më shumë, do të jenë më të vëmendshëm dhe premtimet të cilat nuk do të justifikohen, nëse nuk do të sqarohen, mendoj se nuk do të pinë ujë. Edhe ne do të insistojmë, besoj edhe si opinion edhe si qytetarë, që të kërkojmë edhe sqarime për të gjitha ato premtime të cilat do të na jepen nga subjektet politike dhe mendoj se është më korrekte”,- u shpreh analisti, Albert Musliu.
LR - PDSh akoma nuk i ka përgatitur listat e deputetëve, por Zijadin Sela thotë se është i gatshëm të garojë në njësinë gjashtë dhe të përballet me liderët tjerë politik shqiptarë në betejën politike të 11 dhjetorit.
MERAL ISMAILI
