Maqedoni
Bashkëpunimi sektori civil - institucione, Vinton: Ende ka tendencë për fshehje informatash
02.11.2016 15:47
Bashkëpunimi midis sektorit civil dhe institucioneve shtetërore për të avancuar qeverisjen e mirë në vend është diskutuar në forumin e dytë për partneritet të qeverisjes së hapur...

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Luiza Vinton, porositi se shoqëria civile duhet të angazhohet më tepër në ndjekjen e zbatimit të masave në partneritetin e qeverisjes së hapur, pasi që roli i tyre në këtë fushë është i rëndësishëm.
“Disa të dhëna të procesit tregojnë se akoma ka tendencë për fshehjen e informacioneve. Në këtë drejtim, në kuadër të partneritetit të qeverisjes së hapur edhe shoqëria civile angazhohet për më shumë transparencë dhe qasje deri te informacionet nga ana e qytetarëve”,- deklaroi Luiza Vinton nga UNDP.
Qëllimi i forumit është që në një vend të grumbullohen të gjithë faktorët, puna e të cilëve është e lidhur me përmirësimin e bashkëpunimit mes institucioneve qeveritare dhe shoqërisë civile. Për institucionet qeveritare, ky proces përbën një përvojë pozitive.
“Kryesisht partnerë të organizatave civile janë nëpunësit shtetërorë dhe jo politikanët dhe ata me angazhimet e tyre që i diskutuam gjatë përgatitjes së planit aksionar, janë shumë të hapur se i kanë qëllimet e njëjta, që ta avancojnë qeverisjen e mirë në vend”,- tha drejtoresha e QHKP-së, Marija Risteska.
“Bëhet fjalë për sfida në shumë fusha. Në përgjithësi ne bashkërisht me aktorët joqeveritarë, i identifikojmë këto sfida që na presin në periudhën e ardhshme dhe bashkërisht punojmë që t’i zgjidhim ato probleme”,- theksoi zëvendësministri i ShIA-së, Timço Mucinski.
Në forum u këmbyen mendime rreth përfshirjes së shoqërisë civile në përgatitjen dhe zbatimin e planit të veprimit të partneritetit për qeverisje të hapur, si dhe kontributi i tyre në këtë fushë.
NAIM RAMADANI
