Maqedoni

Respektohet vendimi i inspektoratit, “Jugohrom “fillon fikjen e furrave

02.11.2016 16:43

Kombinati metalurgjik “Jugohrom” do të fikë furrat dhe do të ndërpresë prodhimin deri në vendosje të filtrave...

Kështu ka vendosur drejtoria e “Jugohromit”, e cila këtë vendim e ka bërë të ditur edhe përmes një komunikate me shkrim.
 
“Ju informojmë se “Jugohrom” do të respektojë vendimin e sjellë për ndërprerjen e punës. Ju informojmë se kemi filluar me parapërgatitjen për fikjen e furrave. Për shkak të procesit të ndërlikuar dhe që fikja e tyre të mos ketë pasoja anësore, fikja e tërësishme e tyre do të ndodh më datën 2 nëntor në orën 24. Nga data 3, kapaciteti prodhues do të ndërpritet tërësisht”,- thuhet në njoftimin e lëshuar.
 
“Jugohrom” më 14 tetor i ka kërkuar Ministrisë së Ekologjisë të vazhdojë afatin për vendosjen e filtrave edhe për 18 muaj të tjerë, me arsyetimin se kanë hasur në vonesa për shkak të mospajtimeve me komunën e Jegunovcës, për ndryshimin e planit urbanistik dhe çështjeve të pazgjidhura pronësore në hapësirën rreth fabrikës, që sipas “Jugohromit”, ka pamundësuar zhvillimin e aktiviteteve ndërtimore. Por, kjo kërkesë është hedhur poshtë nga Ministria e Ekologjisë.
 
Qytetarët, ndërkohë, e kanë mirëpritur vendimin për mbylljen e kombinatit.
 
Edhe pse autoritetet thonë se nuk është ndotësi i vetëm, “Jugohrom” gjithsesi është ndotësi më i madh i ajrit në rajonin e Pollogut.
 
VISAR SADIKI