Botë

MPB padi ndaj zëvendësministrit Spasov, Spasovski: Ligji vlen njësoj për të gjithë

02.11.2016 17:19

Ministria e Punëve të Brendshme do të iniciojë padi ndaj zëvendësministrit të Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, për aksidentin e së premtes mbrëma...

Sipas policisë, Spasov ka shkaktuar dy aksidente rrugore si dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes në momentin që policët kanë identifikuar identitetin dhe pronësinë e makinës.
 
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se procedurat do të përmbyllen dhe se ligji vlen njëjtë për të gjithë.
 
"Gjatë ditës do t’i përfundojmë të gjitha procedurat dhe do t’i marrim të gjitha detajet e mundshme rreth këtij procesi. Dua të dini se ligji do të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, pavarësisht a është një ministër apo një qytetar i zakonshëm i Republikës së Maqedonisë",- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
Dje edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenski, paralajmëroi padi penale për drejtorin e Agjencisë për Punësim, pasi që "Tuareg-un", që e ngiste Spasovi, është në pronësi të këtij institucioni.
 
Ajo akuzoi ministrin Spasov se me kartelë  zyrtare ka mbushur me karburant makinën që nuk është në pronësi të Ministrisë.
 
Nga Agjencia për Punësim thonë se me kontratë makinat e tyre janë vënë në shërbim të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale.
 
SANIJE DURAKU