Maqedoni

PDSH mbajti tubim në sheshin Skenderbe në Shkup

24.04.2014 18:44

Partia Demokratike Shqiptare aktivitetin e saj parazgjedhorë e zhvilloi në Shkup, ku bëri prezantimin e kandidatëve për deputet në njësinë e parë zgjedhore...

Partia Demokratike Shqiptare aktivitetin e saj parazgjedhorë e zhvilloi në Shkup, ku bëri prezantimin e kandidatëve për deputet në njësinë e parë zgjedhore. 
 
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, para të pranishmëve tha se nëse PDSH-ja do të jetë pjesë e Qeverisë, do të ofrojë amnesti të përgjithshme për shqiptarët, duke përmendur amnestinë ligjore dhe atë fiskale.
 
Thaçi madje u shpreh se PDSH-ja është e vetmja parti shqiptare edhe pse gjatë gjithë kohës ka qenë e sulmuar nga strukturat shtetërore, duke shtuar se në vitin 2008, të gjithë menduan se PDSH-ja është bërë hijë, por nuk ndodhi ashtu, PDSH-ja tani është më e fortë e më fortë.
 
Sipas Thaçit, BDI-ja gjatë 12 viteve qeverisje nuk arriti të sjellë ligj për konfliktin e vitit 2001, nuk ka investuar në vendbanimet shqiptare, duke thënë se një pjesë e Shkupit i ngjan Parisit, ndërsa pjesa tjetër Kandaharit dhe Afganistanit. Ata të cilët thonë se PDSH-ja do të jetë pjesë e Qeverisë vetëm gjashtë muaj e pastaj do të dështojë, ju them hapur se ata shohin filma vizatimorë, por nuk ndodh kjo, u shpreh Menduh Thaçi.  
 
“Premtimi i dytë që do të realizohet brenda disa muajve, është se përveç atyre që kanë bërë krime të rënda, kurse të gjithë shqiptarët që kanë telashe me ligjin, prijava, prekërshoçna dhe kazna, do të fshihen me ligj për amnesti. Amnestia do të jetë edhe fiskale, çdo taksist, çdo pilarë dhe çdo çajtore, si dhe çdo biznes i vogël dhe i madh që ka dënime prej shtetit prej 50 euro deri në 1 milion euro, të gjitha do të falen”, deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
 
Bartësi i listës së PDSH-së në njësinë e parë zgjedhore, Bekim Fazliu, tha se BDI po e keqpërdor Administratën Publike, arsimtarët dhe policinë për çështje partiake, ndërsa Muamet Thaçi u shpreh se vendbanimet shqiptare, si: Gazibaba, Cerova, Dizhona, Çairi, Dërveni e Karshiaka, nuk kanë investime, kanë ende gropa dhe lloç, duke shtuar se në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët ka mjerim dhe vetëm mjerim. 
 
“Ata që kanë kërkuara para nga ju për një punësim, do të përfundojnë burgjeve. Askush nga ju nuk do të vijë që t’ju kërcënohet për humbjen e vendeve të punës. Ne, atyre që ju kërcënojnë administratë e nderuar, që kërcënojnë arsimtarët, të punësuarit në polici, ne ju themi se mos keni frikë se s’kanë asnjë send në dorë”, theksoi kandidati për deputet, Bekim Fazliu.
 
“Të nderuar, ne sonte jemi mbledhur këtu që t’ju themi stop zullumqarëve. PDSH do të jetë mburojë e shqiptarëve dhe se shqiptarët do të jetojnë më qetë. Shqiptarët në Qeverinë e ardhshme do të flasin shqip dhe shqiptarëve do t’ju kthehet dinjiteti dhe krenaria. Nga ky vende ne japim fjalën dhe besën se nuk do t’i bëjmë dëm asnjë shqiptari”, potencoi kandidati për deputet, Muamet Thaçi.
 
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, para simpatizantëve bëri edhe një krahasim mes vendbanimeve shqiptare dhe atyre maqedonase, duke thënë se ata jetojnë në kushte më të mira për jetesë, duke përmendur ndërtimin e shkollave, teatrove, qendrave kulturore dhe zhvillimin e infrastrukturës rrugore, ndërsa te vendbanimet shqiptare asgjë nuk ndryshon, por bëhet edhe më keq, por për këtë fajtorë është BDI-ja që është në pushtet 12 vite. 
 
AFRIM TANALLARI