Maqedoni
Çejku: Shqiptarëve u takon njëri nga tre postet kyçe
24.04.2014 18:49
Arsyeja e bojkotit të Bashkimit Demokratik për Integrim në Zgjedhjet Presidenciale...

Arsyeja e bojkotit të Bashkimit Demokratik për Integrim në Zgjedhjet Presidenciale, nuk ka qenë në thelb një lëvizje politike, por më së shumti një përpjekje për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, për rritjen e përfaqësimit të tyre.
Kështu e sheh ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, mospjesëmarrjen e BDI-së me një kandidat për president, duke këmbëngulur te presidenti konsenzual.
Në një intervistë për TVM2, Çejku thotë se të paktën një nga tre institucionet e rëndësishme, si Presidenca, Parlamenti apo Qeveria, duhet të jetë shqiptare dhe kjo jo për motive matematikore.
Fushatën Presidenciale, por edhe të Zgjedhjeve Parlamentare, Çejku e vlerëson të mirë, pa incidente serioze, ndërsa shpreson për surpriza pozitive në të mirë të shqiptarëve të Maqedonisë.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, u bën thirrje shqiptarëve që të dalin masovisht në votime, ndërsa palëve, që të njohin rezultatin.
Sipas Çejkut, fushata për Zgjedhjet Parlamentare duket se ia ka zbehur disi peshën Zgjedhjeve Presidenciale në Maqedoni dhe kjo shihet edhe në faktin që kandidatët për president më shumë janë fokusuar në çështjet e investimeve apo punësimeve që janë jashtë kompetencave të tyre.
Çejku po ashtu ka vërejtje edhe për platformat e partive. Sipas tij, partitë opozitare më shumë gjatë fushatës janë përqëndruar në akuza me të cilat kërkojnë përfitimin e sa më shumë votave dhe platformë të vërteta dhe oferta politike kanë prezantuar vetëm partitë që aktualisht janë në pushtet.
LULJETA NDOKA
