Konferenca e katërt botërore për dialog ndërreligjioz dhe ndërcivilizues

03.11.2016 10:06

Konferenca e katërt me radhë botërore për dialog ndërreligjioz....

Konferenca e katërt me radhë botërore për dialog ndërreligjioz dhe ndërcivilizues fillon sot në Manastir, në kuadër të Agjendës globale të Kombeve të Bashkuara dhe UNESKO­s për dialog midis civilizimeve dhe Dekadës së UNESKO­-s për pajtimin e kulturave.

Do të marrin pjesë mbi 150 përfaqësues të të gjitha religjioneve botërore, organizatave joqeveritare, profesorë dhe ekspertë nga e mbarë bota.

Temë qendrore e konferencës sivjet është "Migrimi dhe sfida e integrimit përmes dialogut midis religjioneve dhe kulturave", ndërsa nëntema janë "Familja ­ burim dhe hapësirë për ndërtimin dhe ruajtjen e dinjitetit të njeriut dhe vend për rritje në besim" dhe "Përdorimi dhe keqpërdorimi i mënyrave bashkëkohore për komunikim elektronik dhe në rrjetet sociale".

Në hapjen e konferencës fjalim do të kenë presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ministrja e Kulturës Elizabeta Kançeska ­ Milevska, drejtoresha e Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupe religjioze, Valentina Bozhinovska, etj.

Në kuadër të konferencës do të mbahet Forum i katedrave të UNESKO­s nga Evropa Juglindore me titull "Pikëpamjet e Katedrave të UNESKO­s prej EJL drejt migrimeve, krizat e refugjatëve dhe terrorizmi si sfida për dialogun interkulturor dhe ndërreligjioz".

Do të hapet edhe ekspozita "Nënë Tereza ­ shenjtore nga Shkupi, shenjtore e botës", e cila u prezentua edhe në Romë, me rastin e shënimit të kanonizimit të Nënë Terezës. Konferenca do të përfundojë me përzgjedhjen e Komitetit ndërkombëtar organizues për Konferencën e pestë botërore dhe me miratimin e përbashkët të Projekt­deklaratës. (mia.mk)