Maqedoni

Forumi Rinorë I Bashkimit Demokratik Për Integrim, ironizon me kryetarin e PDSH-së

24.04.2014 18:57

Forumi Rinor i Bashkimit Demokratik për Integrim, para Qeverisë, nëpërmjet një parodie, shpallën konkursin publik...

Forumi Rinor i Bashkimit Demokratik për Integrim, para Qeverisë, nëpërmjet një parodie, shpallën konkursin publik, përmes së cilit i ftojnë të gjithë të interesuarit që të marrin pjesë në iniciativën e tyre për formimin e Qeverisë së re.
 
Të vet identifikuar si “Partia më e madhe në Shtet, me një deputet”, shpall konkurs për ministra në Qeverinë e ardhshme të Republikës së Maqedonisë.
Kandidatët për ministra duhet t’i plotësojnë vetëm tre kritere dhe ato janë: 
 
1. Kandidati,  si dhe kryetari,  të ketë humbur në të gjitha ciklet e zgjedhjeve. Ky është kushti i domosdoshëm. Përparësi ka ai që ka humbur në lagjen ose në fshatin e tij;
 
2. Kandidati t’i jetë besnik kryetarit të partisë edhe sikur ky t’i kërkojë të përplasë kokën në mur. Përparësi ka ai që ka thyer tashmë një herë kokën e tij; 
 
3. Kandidati të jetë llogaritar i mirë. Ky është kusht që kërkohet nga kryetari i partisë. Ministrat do të menaxhojnë edhe pasurinë që do të përfitojë kryetari i partisë”, u shprehën nga Forumi Rinorë i BDI-së. “Partia më e madhe në Shtet, me një deputet”, ofron për kandidatët edhe trajnim falas, me qëllim njoftimin e tyre me rregullat e funksionimit.
 
“Kur kryetari të urdhërojë, ministri të përgjigjet me “po shef” ose me “u kry shef”. Përgjigjet “nuk e di shef” ose mos e bëftë Zoti “jo shef”, janë absolutisht të papranueshme. Në një rast të tillë, pason shkarkimi i menjëhershëm. Kur kryetari të marrë fjalën, ministrit i mbetet të dëgjojë dhe të miratojë. Mendimi ndryshe ndalohet, sepse dëmton shëndetin e kryetarit. Ministrat duhet të jenë të gatshëm që për një plesht të kryetarit të djegin jorganin”, thanë nga Forumi Rinorë i BDI-së.
 
Konkursi do të jetë i hapur deri më datën 27 prill, thanë përfaqësuesit e Forumit Rinorë të BDI-së, të cilët përmes parodisë uruan një fitore historike “Partisë më të madhe me një deputet”. 
 
MEMEDALI JUSUFI