Britani, “Brexit” në duart e Parlamentit

03.11.2016 13:57

Gjykata e Lartë në Britani ka vendosur t’ia delegojë Parlamentit....

Gjykata e Lartë në Britani ka vendosur t’ia delegojë Parlamentit të drejtën për të vendosur përmes votimit nëse Mbretëria e Bashkuar mund të fillojë procesin e largimit nga Bashkimi Europian.

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka këmbëngulur se referendumi i 23 qershorit për dalje nga BE-ja dhe fuqia e qeverisë nënkuptojnë se nuk ka nevojë për votën e Parlamentit.

Vendimi ka të ngjarë të ngadalësojë ritmin e largimit të Londrës nga blloku 28-vendësh dhe është njëherit një pengesë e madhe për shefen e re të qeverisë së Londrës.

Por, për Gjykatën e Lartë, e cila në fund e jep edhe verdiktin: ligji më themelor i Kushtetutës në Mbretërinë e Bashkuar është se Parlamenti është sovran. Sipas saj, qeveria nuk mund të veprojë e vetme dhe të shfuqizojë të ashtuquajturin neni 50 i Bashkimit Europian, i cili thotë se çdo shtet anëtar mund të largohet pa miratimin unanim të Parlamentit.

Vendimi, që është konsideruar politik, ka të ngjarë të ankimohet dhe të kërkohet një seancë e posaçme gjatë muajit nëntor, sërish në Gjykatën e Lartë.

Gjykata mori dy javë e gjysmë kohë për të arritur në këtë përfundim. Por, avokatët e Qeverisë argumentojnë se kryeministri ka fuqinë e tij ekzekutive. Kjo periudhë trazirash për Mbretërinë e  Bashkuar pason referendumin e qershorit, ku Brexit dominoi me 51.9% të votuesve që donin të largoheshin dhe 48.1% që donin të ishin pjesë e Unionit. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)