Botë
Tragjedi e re në detin Mesdhe, mbytet anija me 240 migrantë
03.11.2016 15:18
Lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme janë shkaktar edhe të një tragjedie me migrantët në detin Mesdhe...

240 emigrantë janë mbytur në dy anije që ishin nisur nga brigjet e Libisë drejt Europës.
Sipas autoriteteve, mbingarkesa e anijes ka qenë shkaktar i fundosjes së anijes. Kërkimet kanë nisur, por ende nuk është gjetur asnjë trup.
Zëdhënësja e UNHCR-së në Itali, Carlotta Sami, tha se 31 të mbijetuar nga dy anije, të cilët kanë arritur në ishullin italian Lampedusa të enjten, kanë njoftuar për fundosjen e anijeve të tyre.
Sami tha se të mbijetuarit kanë raportuar për 240 persona të zhdukur. Shumica e njerëzve në bord duket se kanë qenë nga rajoni i Afrikës nën-Sahariane.
Një raport i fundit e cilëson vitin 2016 si vitin më vdekjeprurës për emigrantët. Më shumë se 4.200 emigrantë kanë humbur jetën në tentativë për të arritur Europën.
Ndërsa rreth 330 mijë kanë arritur të kalojnë me sukses nga brigjet e Lindjes së Mesme drejt Europës. Në vitin 2015, numri i atyre që mbërritën në kontinentin e vjetër ishte mbi një milion.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
