Botë
Konferenca botërore për dialog ndërfetar, BFI bojkoton pasi qeveria i nuk përmbush kërkesat
03.11.2016 15:45
Bashkësia Fetare Islame bojkoton konferencën e katërt ndërkombëtare për dialog ndërfetar dhe ndërcivilizues që po mbahet në Manastir, e organizuar nga qeveria...

Kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, thotë se nuk marrin pjesë pasi qeveria refuzon t’i përmbush kërkesat e BFI-së. Bëhet fjalë për rindërtimin e xhamisë në Prilep, ndërtimin e xhamisë në Llazhec të Prilepit, si dhe dëmet që janë bërë me denacionalizimin e pronave.
“Në konferencën e dytë kemi nënshkruar akt në mes qeverisë dhe BFI-së për xhaminë e Prilepit dhe ajo marrëveshje ka qenë brenda tre muajve të fillojë dhe të kompletohet xhamia. Sa vite kaluan, xhamia fare nuk lejohet të ripërtërihet. Kemi pasur kërkesën tjetër në lidhje me xhaminë e fshatit Llazhec të Manastirit. Sot e kësaj dite nuk na lejojnë të ndërtojmë xhaminë, padrejtësitë na bëhen me denacionalizmin e pronave ende. Përderisa ato punë nuk i kanë marrë parasysh, marrëveshje kemi bërë dhe nuk e kanë respektuar dhe nuk i kanë evituar dëmet që bëhen për çdo ditë, atëherë çka kërkojmë ne atje? T’u tregojmë botës se ky është shtet në të cilin rrjedh qumësht dhe mjaltë dhe se ka dialog ndërkofesional, që aspak nuk është e vërtetë”,- deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Konferenca është bojkotuar edhe nga Kisha ortodokse serbe. Ndërkohë që kreu i Kishës ortodokse maqedonase edhe njëherë ka potencuar nevojën e kthimit të vlerave shpirtërore.
“Çdo njeri duhet të jetë plotësisht i lirë, që nënkupton të mund të dojë dhe të jetë i dashuruar, të shpresojë dhe besojë, të jetë në shoqëri të barabartë me të tjerët dhe bashkë me zotin”,- tha kryetari i Kishës ortodokse maqedonase, zotëri zotëri Stefani.
Në ditën e parë të konferencës pjesëmarrës ishin 110 përfaqësues të 31 shteteve dhe rreth 150 intelektualë dhe politikanë të cilët merren me dialogun ndërfetar dhe ndërcivilizues.
MERAL ISMAILI
