Maqedoni
BDI prezantoi projektet në njësinë e 6-të zgjedhore
24.04.2014 19:06
Dhjetëra projekte në infrastrukturën rrugore e energjetike, por edhe dhjetëra të tjera në arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë dhe sport...

Dhjetëra projekte në infrastrukturën rrugore e energjetike, por edhe dhjetëra të tjera në arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë dhe sport, ka paraqitur dhe premtuar BDI se do të realizojë në zonën zgjedhore gjashtë në mandatin 2014-2018.
Ejup Rustemi, kandidat për deputet, gjatë prezantimit të projekteve, tha se BDI edhe kësaj radhe del përpara votuesve me një ofertë konkrete dhe të kapshme, me qëllim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve në këto anë.
“Nga projektet e shumta me rëndësi të veçantë në infrastrukturën rrugore veçojmë: Tetovë–Brvenicë–Gostivar 16 km, rikonstruimi i rrugës regjionale, vlera: 2 milion euro, afati i realizimit: 2015 – 2016. Nyja e Bërvenicës, vlera: 1 milion euro, afati i realizimit: 2014 – 2015. Gostivar–Kërçovë 43 km, ndërtim i autostradës së re, vlera: 370 milion euro, afati i realizimit: 2015-2020”, tha Ejup Rustemi nga BDI.
Në nivel të komunave për infrastrukturë rrugore janë paraparë: fonde për Zhelinën, Jegunovcën, Bogovinën, Bërvenicën, Tearcën, Tetovën, Vrapçishtën dhe Gostivarin.
Një ndër projektet kapitale është edhe gazifikimi, përkatësisht trajektorja Shkup-Tetovë-Gostivar-Kërçovë, në vlerë prej rreth 26 milion euro dhe largëpërçuesi HEC Vrutok–TS Tetovë, me vlerë prej 3 milion euro.
BDI premton edhe ndërtimin e sallës së sportit në USHT, me vlerë prej 600,000 euro, pajisje për laboratorët e USHT-së dhe pajisje dhe inventar për spitalin Klinik në Tetovë.
Partia e Ahmetit ka premtua se në këtë mandat do të ndërtojë edhe godinën e teatrit dhe bibliotekës në Tetovë, me vlerë prej 14 milion, stadiumin e qytetit në Tetovë dhe objektet ndihmëse në vlerë prej 20 milion euro.
Vëmendje i është kushtuar edhe Kodrës së Diellit, e cila premtohet se do të shndërrohet në një mega-qendër skiimi.
Ndryshe platforma e BDI-së në këto zgjedhje parasheh realizimin e 1.081 projekteve.
SHPËTIM NUREDINI
