Maqedoni

“Jugohromi” ndërpreu punën, Sindikata: Të gjejnë zgjidhje edhe për ne

03.11.2016 16:17

Pas vendimit të sjellë nga Inspektorati i Ministrisë së Ekologjisë ditë më parë se fabrika “Jugohrom” nuk i plotëson kushtet...

Pas vendimit të sjellë nga Inspektorati i Ministrisë  së Ekologjisë ditë më parë se fabrika “Jugohrom” nuk i plotëson kushtet për të vazhduar më tej dhe se e njëjta duhet të mbyllet, sot edhe zyrtarisht furrat e fabrikës u fikën dhe nga oxhaqet e fabrikës nuk kishte më tym që ndot Pollogun.
 
Më në fund oxhaqet e “Jugohromit” nuk nxjerrin më tym. Pas mbylljes së “Jugohromit”, punën duhet ta ndërpresin 690 të punësuar, por ende nuk dihet se kush do t’i marrë përsipër kompensimet e tyre. 
 
Kryetari i Sindikatës, Bajram Amiti, kërkon që gjatë këtyre muajve që nuk do punojë  “Jugohromi” shpenzimet të mbulohen për çdo të punësuar, pasi sipas tij tani punëtorët nuk mund të rrinë rrugëve.
 
“Duhet tani edhe ata të gjejnë një model, mënyrën se si do të mbulohet pagesa e punëtorëve. Punëtorët nuk mund të lihen në rrugë, kurse tani me ndërprerjen e punës ata mbeten rrugëve dhe këtë gjë nuk do ta lejojmë edhe ne si sindikatë. Të shohim tani vendimin e bordit të drejtorëve se çfarë lajme do na japin dhe ne do të fillojmë të organizohemi, patjetër të bëjmë presione se nuk mundet t’i lëmë njerëzit në mëshirën e dikujt. Kërkesa jonë është që punëtorët të mbulohen me të ardhura personale, sepse nuk e dimë ne se sa do zgjasë ajo. Për momentin janë 690 punëtorë të punësuar dhe tani të gjithë ata punëtorë të mbeten pa punë për të ardhmen personale është diçka dhe prandaj të gjithë duhet të japin kontributin”,- deklaroi kryetari i Sindikatës, Bajram Amiti.
 
Nga ana tjetër edhe Shoqata “Eko Guerilla” e përshëndet këtë hap për mbylljen e “Jugohromit”, por ata shprehen se nuk është mjaft me kaq, pasi ka edhe shumë punë për t’u bërë dhe kuptohet se tani do të jenë përkrah të punësuarve të “Jugohromit”, që qeveria t’iu mbulojë të gjitha shpenzimet.
 
“Kemi shumë punë për të bërë. Ajo që është me rëndësi për ne është se mbyllja e “Jugohromit” nuk është zgjidhja e gjithë problemit, por është një hap i parë shumë i rëndësishëm, akoma më i rëndësishëm do jetë kur “Jugohromi” do t’i vendos filtrat dhe do të hapet përsëri të punojë, pasi ata njerëz që i kanë humbur vendet e punës, duhet të kthehen në vendet e tyre të punës. Mendoj se qeveria do ju gjejë një zgjidhje të gjitha atyre punëtorëve, është në dorën e punëtorëve dhe ne si organizatë do bëjmë presion te qeveria që atyre t’iu gjendet një zgjidhje. Ata duhet të reagojnë, sigurisht do ta kenë edhe mbështetjen tonë. Ne jemi njerëz e nuk duam që edhe ata të ngelin në rrugë dhe ne do bëjmë presionin e duhur tek qeveria që atyre njerëzve t’ju gjendet një zgjidhje, qoftë edhe të punësohen në fabrikat e shumëreklamuara që po hapen në zonat ekonomike të Tetovës”,- tha Arianit Xhaferi “Eko Guerilla”.
 
Mbetet të shihet se çfarë do të bëjë bordi drejtues i “Jugohromit” dhe qeveria për të punësuarit atje. 
 
Ndërkohë, mbetet ende në fuqi kërkesa e drejtuesve të “Jugohromit” që t’ju jepet afat shtesë edhe për 18 muaj të tjerë, pasi sipas tyre ata janë vonuar nga komuna e “Jugonovcës” për marrjen e lejes së ndërtimit të filtrave.
 
VISAR SADIKI