“Thesari”, Mijallkov paraqitet në Gjykatë

03.11.2016 16:57

Ish-shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Shasho Mijallkov....

Ish-shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Shasho Mijallkov, u paraqit në bisedë informative në Gjykatën Penale për rastin “Thesari”.

Mijallkovi dhe avokati i tij hynë në Gjykatë përmes hyrjes zyrtare. Në Gjykatë u paraqitën edhe dy hetues të Prokurorisë Speciale. Prokuroria Speciale Publike (PSP) ka kërkuar masa kujdesi ndaj tij dhe dy të dyshuarve të tjerë.

Për rastin “Thesari” akuzohen katër persona, si të dyshuar se përmes Ndërmarrjes “Finzi” gjatë furnizimit të pajisjes për policinë sekrete kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 860 mijë euro. Pas publikimit të rastit “Thesari”,  Mijallkov i ka mohuar akuzat, ndërsa ka vlerësuar se PSP është dorë e zgjatur e LSDM-së.

“Nuk kam bërë kurrfarë dëmi ndaj buxhetit dhe nuk kam realizuar asnjë përfitim matrial. PSP funksionon si dorë e zgjatur e LSDM-së dhe ka për qëllim diskriminimin e pabazë të drejtuesve të VMRO-DPMNE-së”,- pati deklaruar Mijallkov, duke theksuar se të gjitha pretendimet e PSP-së janë tërësisht të shpikura.

Paraqitja e Mijallkovit në Gjykatë u zhvillua pak ditë pasi eksperti i Kompanisë “Erikson” ia ka dorëzuar materialet e nevojshme nga sistemi i përgjimit Prokurorisë Speciale, si dhe pas arrestimit të hetuesit të PSP-së derisa po fotografonte një shtëpi në pronësi të ish shefit të DSK-së.

Mijallkov është i dyshuar edhe në rastin “Tortura”, ku PSP po heton mënyrën e arrestimit të ish ministrit të Brendshëm, Lube Boshkovski. (Gyltene Sinani, TVM2)