Maqedoni

Aksident i rëndë në Kërçovë, makina përplaset me traktorin, tre të vdekur

03.11.2016 17:08

Aksidenti i rëndë që mori jetën e tre personave nga fshati Kollarë i Kërçovës, ka ndodhur në mbrëmjen e djeshme...

Aksidenti i rëndë që mori jetën e tre personave nga fshati Kollarë i Kërçovës, ka ndodhur në mbrëmjen e djeshme, gjatë përplasjes së veturës së tipit “Ford”, i cili ka lëvizur në drejtim të qytetit, me një traktor të ngarkuar me dru, në rrugën magjistrale Zajaz-Kërçovë.
 
Drejtuesi i makinës se tipit “Ford”, me inicialet Z. Z., i moshës 47 vjeçare, dhe dy bashkudhëtaret e tij, H. H. 17 vjeç dhe A V. 19 vjeç, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme gjatë përplasjes me rimorkion e traktorit të ngarkuar me dru për djegie.
 
Në vendin e ngjarjes menjëherë dolën ekipet policore dhe ato të urgjencës, të cilët me shume vështirësi arritën të nxjerrin trupat e pajetë të viktimave nga makina e shkatërruar thuajse totalisht. Ndërkaq, shoferi i traktorit dhe shoqëruesi i tij kanë marrë lëndime të lehta dhe menjëherë janë dërguar në Qendrën spitalore të Kërçovës, ku pas intervenimit janë lëshuar në shtëpi.  
 
Stacioni policor ne Ohër bën të ditur se deri te aksidenti me pasoja tragjike për tre banorët e fshatit Kollare ka ardhur nga tejkalimi i shpejtësisë se automjetit dhe mungesës së dritave në rimorkion e traktorit të ngarkuar me dru. Organet policore po punojnë për ndriçimin e plotë të rastit tragjik. 
 
Varrimi i tre viktimave të këtij aksidenti do të bëhet nesër në varrezat e fshatit Kollare.
 
SHABAN DALIPI