Maqedoni

“Tetova feston nëntorin”, festivali mbledh artistë nga trojet mbarëshqiptare

03.11.2016 17:20

Edicioni i katërt “Tetova feston nëntorin 2016”, do të fillojë nga nesër me komedinë “Shërbëtori i dy zotërinjve”...

Këtë vit do të ketë edhe risi në aktivitet e ndryshme që do të mbahen në këtë festival tradicional tashmë  në Tetovë, që do të mbledhë artistë nga të gjitha trojet shqiptare.
 
“Do të përfshihen shumë sfera të artit, duke filluar nga arti dramatik, muzikor, promovime librash, do të ketë koncerte të muzikës klasike, folklorike, ekspozita e kështu me radhë”,- deklaroi koordinatori i Festivalit, Jeton Pustina.
 
Pustina ankohet se Ministria e Kulturës nuk e mbështet asnjë vit këtë festival. 
 
“Përkrahësja kryesore dhe më e madhja e këtyre aktiviteteve është vetëm komuna e Tetovës. Sa i përket Ministrisë së Kulturës, ndihma ka qenë shumë shumë e vogël, ose ndonjëherë edhe aspak. Edhe kur kemi bërë kërkesë, ndihmë nuk kemi pasur, edhe kur s’kemi bërë kërkesë pse s’keni bërë kërkesë, kështu që ne e dimë se sa mund të jetë ndihma e Ministrisë së Kulturës”,- tha koordinatori i Festivalit, Jeton Pustina.
 
“Tetova feston nëntorin 2016” do të përfundojë më 28 nëntor, datë kjo që përkon edhe me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
 
Në Ditën e Flamurit,  shoqëritë artistike defilojnë nëpër rrugët e Tetovës së bashku me Bandën Frymore të  Filarmonisë së Kosovës.
 
VISAR SADIKI