Maqedoni
Projekt për banorët e zonave kufitare, parandalimi i HIV-it dhe i përdorimit të drogës
03.11.2016 17:34
Ka përfunduar projekti dyvjeçar për parandalimin e HIV-it dhe përdorimit të drogës në mesin e qytetarëve në zonat kufitare...

Ka përfunduar projekti dyvjeçar për parandalimin e HIV-it dhe përdorimit të drogës në mesin e qytetarëve në zonat kufitare, projekt i realizuar nga shoqata joqeveritare HOPS, e përkrahur nga BE.
Ky projekt kishte për qëllim edukimin e ekspertëve dhe studentëve të ardhshëm në fushën e punës sociale, mjekësisë, policisë, sigurisë, si dhe të stafit profesional që është i lidhur drejtpërdrejtë me personat nën rrezik më të lartë.
“Ne përsëri bëjmë gjithçka që ky numër të zvogëlohet, edhe pse Maqedonia është një ndër vendet me nivel më të ulët të personave më virus HIV. Këtë vit kemi pasur 33 raste të reja të personave të infektuar me HIV dhe dy persona kanë humbur jetën. Ne Maqedoni këtë vit virusi HIV më së shumti është përhapur tek kategoria MSM, tek meshkujt homoseksual”,- deklaroi koordinatori i projektit, Xvonko Milenkoviq.
Projekti është realizuar mes katër komunave të Maqedonisë dhe Kosovës, me ç’rast është konstatuar se në Kosovë më tepër janë të përhapura drogat, ndërsa Maqedonia ballafaqohet me virusin HIV.
Në Maqedoni deri në fund të vitit 2013 janë shënuar 197 persona me HIV-SIDA. Sipas hulumtimeve të Shoqatës HOPS, shumica e tyre janë regjistruar në Shkup - 88 persona, Tetovë - 22 persona, Kumanovë - 10 persona, Prilep - 9 persona, Ohër - 9 persona etj.
REJHANE BUSHI-METAJ
