Maqedoni
Çerdhja “Fidani” në Shkup, prindi: Keqtrajtohet fëmija dyvjeçar
03.11.2016 17:42
Në çerdhen “Fidani” në Shkup është keqtrajtuar një fëmijë i moshës dyvjeçare...

Rastin e ka paraqitur babai, Astrit Iljazi, i cili tregon se në trupin e fëmijës pas marrjes nga çerdhja janë vërejtur shenja dhune.
Tre ditët e fundit, siç shpjegojnë prindërit, fëmija është zgjuar natën me ankthe dhe shqetësim, ndërsa ditën e djeshëm, pasi e kanë marrë nga çerdhja, kanë vërejtur edhe shenja dhune.
“Prej ditës së hënë, pra këto tre ditët e fundit, djali është i shqetësuar, zgjohet natën, nuk është në rregull, ne e njohim fëmijën tonë. Ditën e djeshme, pasi shoqja e ka marrë nga çerdhja, pasi e kemi zhveshur, i kemi parë plagët që djali i ka në trup. Unë mendoj që moshatarët e atij nuk mund të ia bëjnë ato plagë atij, sepse shihet qartë në foto, i keni edhe videot, që djali është i maltretuar”,- deklaroi prindi, Astrit Iljazi.
Familjarët e Albanit dyvjeçar kërkojnë sqarime nga drejtoresha e çerdhes, Rabije Loku, të cilën TVM2 tentoi ta kontaktonte, por e njëjta nuk u përgjigjej mesazheve dhe telefonatave tona.
Prindërit e kanë denoncuar rastin edhe në polici dhe në gjykatë. Ata kërkojnë nga institucionet kompetente ta zbardhin rastin në fjalë, që të mos përsëriten raste të tilla edhe tek fëmijët e tjerë.
Nga MPB-ja e kanë konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se babai i fëmijës A. I., i moshës 29 vjeçare, ka raportuar se ka vërejtur tek fëmija shenja dhune prej datës 13 tetor deri në 2 nëntor.
Ndërsa në datën 1 nëntor, pasi e ka marrë fëmijën nga çerdhja “Fidani” në rrugën “Strumiçka”, në trupin e tij dhe në buzë ka pasur shenja mavijosje.
Nga MPB thonë se po e hetojnë rastin dhe ditëve në vijim do të dalin me detaje të hollësishme.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
