Maqedoni
OSBE-ODIHR-i hap misionin vëzhgues, evidentimin e parë mosharmonizimin e njësive
03.11.2016 17:50
OSBE dhe ODIHR-i filloi vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit...

Misioni vëzhgues për zgjedhje përbëhet nga 14 ekspertë dhe 20 vëzhgues afatgjatë, ndërsa 300 vëzhguesit afatshkurtër do të mbërrijnë pak ditë para zgjedhjeve.
Misioni kryesohet nga Tania de Zulueta me mandate për të vlerësuar nëse zgjedhjet janë në harmoni me detyrimet dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
“Ne kemi mandate që të vlerësojmë zgjedhjet gjatë fushatës dhe gjatë zgjedhjeve në harmoni me obligimet e marra nga anëtarësimi në OSBE, detyrimet dhe standardet ndërkombëtare dhe në harmoni me ligjet vendore”,- deklaroi kryesuesja e misionit të OSBE-ODIHR-së, Tania de Zulueta.
Mbajtja e zgjedhjeve pa harmonizuar njësitë zgjedhore në harmoni me kodin zgjedhor është shënuar nga ky mision dhe do të gjejë vend edhe në raportin përfundimtar të misionit.
“Kjo çështje veç më është sinjalizuar gjatë presidencës së misionit paraprak. Ne vetëm mund të marrim shënime për të vlerësuar pasojat. Edhe pse vendimi politik dëshmon vullnetin për të mbajtur zgjedhje, i cili deri tani është unanim, nëse ka pasojë në të drejtën e votuesit do të jetë pjesë e raportit tonë final”,- tha kryesuesja e misionit të OSBE-ODIHR-it, Tania de Zulueta.
Misioni, i cili ka ardhur me ftesë zyrtare nga autoritetet vendore, do të publikojë dy raporte të përkohshme gjatë rrjedhës së punës, qëndrimin rreth zgjedhjeve do ta deklarojë një ditë pas ditës së votimit, ndërsa raportin përfundimtar do ta publikojë tetë javë pas procesit zgjedhor.
SHPËTIM NUREDINI
