Maqedoni
BDI mbajti tubim në Gostivar
24.04.2014 19:13
BDI gjatë fushatës parazgjedhore, mbrëmë ka zbarkuar në Komunën e Gostivarit...

BDI gjatë fushatës parazgjedhore, mbrëmë ka zbarkuar në Komunën e Gostivarit.
Para bashkëqytetarëve të tij, kryetari i komunës, Nevzat Bejta dhe kandidati për deputet në njësinë zgjedhore numër gjashtë, Talat Xhaferi, u shprehën se shqiptarët me votën e tyre do të vendosin kush do të hyjë në Qeveri dhe nëse ndodh e kundërta, atëherë ajo do të jetë në dëm të Shtetit.
“Ne kërkojmë që më 27 prill vota e shqiptarëve të jetë e bashkuar. Nëse nuk respektohet vota e shqiptarëve, mbajeni mend, mbajeni mend se Maqedonia do të thehet si pasqyrë përpara qytetarëve shqiptarë të Republikës së Maqedonisë. Kudo që i kemi takuar qytetarët shqiptarë, të gjithë na kanë thënë po, po e mbështesim kryetarin Ali Ahmeti”, theksoi kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
“Në tre ciklet e para është dashur që të bëjmë luftë për të siguruar garancën tuaj, që të dilni të lirshëm të shprehni vullnetin tuaj, për të mbështetur pjesëtarët e UÇK-së, liderin dhe komandantin tuaj, Ali Ahmetin. Ne sot përballemi me ata që na paralajmërojnë “bela të mëdhaja”, por harrojnë se kjo është 2014 dhe jo 2008-ta. 2014-ës i parapriu 2011-ta, kur shqiptarët drejt dhe qartë u përgjigjen kasaphaneve, andaj prezenca juaj sonte është përgjigjja më e mirë e paralajmërimeve të belave të mëdhaja”, u shpreh kandidati për deputet në njësinë zgjedhore gjashtë, Talat Xhaferi.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili është edhe bartës liste në njësinë zgjedhore gjashtë, tha para gostivarasve se BDI dhe shqiptarët kanë kapacitete, guxim dhe dije për të udhëhequr me Shtetin dhe këtë e dëshmon puna e bërë në arsim, shëndetësi infrastrukturë, bujqësi dhe ligjet e sjella në favor të biznesmenëve.
Ai ripërsëriti qëndrimin e tij se Qeverinë e ardhshme në vend do ta formojnë fituesit te maqedonasit dhe fituesit te shqiptarët.
“Edhe zogjtë mbi çati e dinë se BDI bijtë tuaj janë fitues absolut në këto zgjedhje dhe nuk ka forcë as që u del pas e as që u del para. Dëgjohen zëra aty këtu, hyn ky, del ai në Qeveri. Vëllezërit e mi, e tha bukur komandanti Talat Xhaferi, legjitimiteti dhe pushteti jepet nga populli dhe ne me luftë dhe gjak kemi fituar një të drejtë që s’mund ta mohojë dhe mposhtë askush, votimi i dyfishtë. Dhe po të mos ishte kjo e arritur, ç’kuptim do kishte që shqiptarët të garojnë me parti politike, ç’kuptim do të kishte sot ne të jemi në garë kur udhëheqësin se kush do e përfaqësojë në Qeveri kombin shqiptarë do e caktojë Branko Cërvenkovski, Nikolla, Zaevi, jo vëllezërit e mi, këto kohë kanë përfunduar”, deklaroi lider i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti sërish u bëri thirrje shqiptarëve që më 27 prill të përkrahin BDI-në dhe listën e saj për deputet, me qëllim që BDI të marrë fuqi edhe më të madhe gjatë qeverisjes së ardhshme.
Ai rikujtoi edhe njëherë shqiptarët që të mos votojnë për asnjërin nga kandidatët maqedonas për president, sepse ajo do të jetë në dëm të idesë së BDI-së.
Sonte BDI do mbajë tubim parazgjedhor para banorëve të Tetovës.
MEFAIL ISMAILI
