Maqedoni

MPB bën tre kallëzime kundërvajtëse ndaj Spasovit, Spasov: Hetimi, skenar i kurdisur për të më dëmtuar

03.11.2016 18:02

MPB ka ngritur tre kallëzime kundërvajtëse ndaj zëvendësministrit të Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov...

Për MBP-në nuk ka më dyshime se Spasov është fajtor i disa aksidenteve në Shkup. Madje, është konstatuar se pas aksidenteve ai u ka ikur pjesëtarëve të policisë.
 
“Është konstatuar se makina e tipit “Volkswagen Touareg” është drejtuar nga ndihmësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov. Në bazë të Ligjit për siguri në komunikacion, do të ngrihen tre kallëzime kundërvajtëse ndaj Spasovit edhe atë për braktisjen e vendndodhjes ku është shkaktuar aksidenti, për mosndalesën e tij para organeve policore për të evidentuar ngjarjen dhe për mospërshtatjen e shpejtësisë së automjetit në fjalë me të cilin ka drejtuar në komunikacion”,- deklaroi ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
 
Për Dime Spasov, hetimi i MPB-së është skenar i kurdisur përmes policisë kriminale për të dëmtuar reputacionin e tij. Në një intervistë për TV Nova-n, ai i quajti veprimet  e MPB-së si abuzim klasik i institucionit për qëllime politike.
 
“Kam pritur një hetim të drejtë dhe transparent nga ana e Ministrisë së Brendshme, e udhëhequr nga LSDM-ja. Por, raporti i MPB-së duket më shumë si një kumtesë partiake sesa deklaratë e raportit të policisë. Ky është një abuzim klasik i një institucioni si MPB për të arritur qëllimet politike. Kjo është një përpjekje, një skenar i menduar nëpërmjet policisë kriminale e montazhuar për të shkatërruar reputacionin tim”,- deklaroi zëvendësministri plotësues në MPPS, Dime Spasov.
 
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, hodhi poshtë këto akuza, duke thënë se MPB posedon video-incizime nga kamerat e kryeqytetit, ku shihet qartë ikja e Spasovit nga vendndodhja e aksidenteve me “Volkswagen Touareg”, madje ai tha se personi i cili ka shoqëruar Spasovin në foristradë ka firmosur edhe raportin policor të MPB-së, ku pranon se ata kanë qenë bashkë në veturë në momentin e aksidenteve. 
 
Spasov akuzohet se me makinë zyrtare ka shkaktuar dy aksidente mbrëmjen e së premtes dhe më pas i është larguar pjesëtarëve të policisë kur kanë kërkuar ta legjitimojnë.
 
Sipas tij, aksidentet ndodhën pasi persona të paidentifikuar e kanë ndjekur nga pas me makinë. Situata u komplikua kur disa persona pa pritur u deklaruan si shkaktarë të këtyre incidenteve.
 
Për këtë rast edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale ka kërkuar përgjegjësi penale edhe për drejtorin e Agjencisë së Punësimit që ka lejuar Spasovin të vozisë makinë zyrtare të Agjencisë.
 
REXHEP QAMILI