Ekonomi
Në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë u hap Kompania amerikane “Lear”
03.11.2016 18:13
U hap Kompania amerikane “Lear” në Zonën e Lirë Ekonomike të Tetovës...

Sipas drejtuesve të kësaj kompanie, hapja e kësaj fabrike në Tetovë do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe tërheqjen e më shumë investimeve gjatë periudhës së ardhshme.
Në këtë fabrikë fillimisht janë të punësuar 520 persona, ndërsa gjatë periudhës së ardhshme numri të punësuarve pritet të rritet deri më 3000.
“Ne jemi ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë. Në këtë fabrikë, nëse të gjithë punëtorët nuk janë syçelë, nuk do të kishim kualitet. Ne punojmë me këmbëngulje që të kemi standarde në këtë fabrikë, e cila do të ketë diku 3000 vende të reja të punës, do të prodhojmë pjesë për automjete, presim që të kemi rezultate të mira në Maqedoni dhe jemi të sigurt se zgjedhja jonë që e zgjodhëm Maqedoninë për të investuar nuk është gabim”,- deklaroi nënkryetari i “Lear” për Europë dhe Afrikë, Sven Dam.
Përgjegjësinë për menaxhimin dhe ndërtimin e kësaj fabrike e ka pasur Kompania “Normak Investment Group”.
“Kompania jonë “Normak Investmen Group” mori përsipër kapacitetin për ndërtimin e këtij kapaciteti prodhues në vlerë prej 7 milion eurove, investim ky i realizuar në afat prej shtatë muajve, nga data e marrjes së lejes së ndërtimit, dhe duke i plotësuar të gjitha kushtet e një objekti me një efikasitet energjetik A+, ndër të rrallët e ndoshta edhe i vetmi në Maqedoni”,- tha kryetari i “Normak Haki Etemi”.
Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi, tha se hapja e kësaj fabrike do të ndikojë në zhvillimin proporcional të rajoneve, si dhe është një mundësi e mirë për punësimin e të rinjve.
“Vendndodhja e këtij objekti industrial në Pollog shpreh më së miri përpjekjet tona për një zhvillim proporcional të rajoneve, duke krijuar shanse dhe mundësi për të gjithë njerëzit që duan të konkurrojnë në tregun e punës me ide dhe njohje konkrete profesionale”,- tha ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
“Lear Corporation” është kompani që prodhon ulëse dhe pajisje elektronike për automobila. Fabrika në Zonën Industriale në Tetovë është e 235-ta në botë, ndërsa Maqedonia është e 35-ta ku ata investojnë. Fabrika e lokuar në Tetovë shtrihet në 12.000 metra katrorë dhe disponon me makina më bashkëkohore.
ERSAN PAJAZITI
