NBA, Durant mposht ish skuadrën e tij
Ndeshja më e rëndësishme e mbrëmjes së NBA u luajt në “Oracle Arena”....

Ndeshja më e rëndësishme e mbrëmjes së NBA u luajt në “Oracle Arena” ku Kevin Durant ishte kryefjala e sfidës Golden State-Oklahoma.
Shtatlarti i skuadrës kaliforniane që këtë verë u transferua te nënkampionët e NBA pas një karriere të gjatë te Oklahoma, realizoi 39 pikë, ndërsa Steph Curry 21 të tjera në suksesin 122-96.
Ndeshja u prezantua që në sekondat e para si një sfidë personale mes Durant e Westbrook ku ky i fundit nuk arriti të bënte shumë për të siguruar fitoren e tretë të Oklahomas duke e mbyllur mbrëmjen me 20 pikë dhe 10 asiste. Në sfidat e tjera, Cleveland regjistroi fitoren e 5 sezonale në po kaq gara. Kampionët në fuqi të frymëzuar nga LeBron James mundën Boston Celtic në “Quicken Loans Arena”. “Mbreti” i skuadrës nga Ohio regjistroi 30 pikë dhe 12 asiste.
Formë të shkëlqyer treguan edhe Kevin Love e Kyrie Irving me 49 pikë në total, ndërsa në krahun tjetër, 30 pikët e Isaiah Thomas nuk mjaftuan për Boston. Në Milwaukee, Bucks thelluan krizën e Indiana Pacers.
Ekipi nga Indianapolis u dorëzua 125-107 pavarësisht faktit se këtë sezon është nisur si një prej skuadrave favorite për të arritur finalen e Konferencës së Lindjes. Në Orlando, magjikët nga Florida dominuan Sacramento Kings 102-94 në një ndeshje të ndezur ku Evan Fournier realizoi 29 pikë.
Fitore regjistroi edhe Denver Nuggets në “Target Center” të Mineapolis. Vendasit kaluan 102-99 Minesota Timberwolves duke i dhënë vazhdimësi sezonit me suksesin e dytë.