Fajon: Maqedonia ka nevojë për ndryshime; Zaev: Qytetarët meritojnë jetë më të mirë
Eurodeputetja, Tanja Fajon, ka vlerësuar se vendi ka nevojë për ndryshime....

Eurodeputetja, Tanja Fajon, ka vlerësuar se vendi ka nevojë për ndryshime. Ajo rikujtoi se nuk arsyetohet frika e shkaktuar te qytetarët për lirinë e zgjedhjes së tyre, sepse ata duhet të jenë të lirë të vendosin për të ardhmen e tyre, gjë që do të dëshmonte për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Fajon potencon se zgjedhjet në Maqedoni do të monitorohen me shumë kujdes nga BE, sepse ka shumë rëndësi që ato të jenë demokratike dhe me rezultat të pranueshëm nga të gjithë.
“Shoh shumë të rinj që largohen nga vendi, shoh kushte të këqija ekonomike, kushte të këqija shëndetësore, kështu që është e domosdoshme të bëhen ndryshime. Unë thellë besoj se mund të shohim zgjedhje fer dhe demokratike. Komuniteti ndërkombëtar ka ndjekur nga afër proceset e kaluara zgjedhore dhe do t’i ndjekim edhe tani”,- deklaroi deputetja në Parlamentin Europian, Tanja Fajon.
Pas takimit me Fajon, edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, deklaroi se tashmë është momenti kur vendoset e ardhmja e qytetarëve dhe e vendit.
“Ky është momenti kur bashkërisht të formojmë të tashmen dhe të ardhmen për ne, fëmijët tanë dhe shtetit. Në këtë moment dhe proces të rëndësishëm, jemi duke luftuar të rindërtojmë institucionet demokratike, të vendosim themele të shëndosha në çdo aspekt, si atë ekonomik, shëndetësor, arsimor, demokratik, drejtësi, derisa e rëndësisë së veçantë mbetet që Maqedonia të ketë një qeveri të zgjedhur në formë legjitime”,- tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Fajon është takuar edhe me prokuroren speciale publike, të cilës i ka dhënë mbështetje të plotë në punën e saj. (Leunora Kaliqi, TVM2)
