Nesër votohet në Diasporë
Në mesnatë do të hyjë në fuqi heshtja zgjedhore që do të zgjasë deri në përfundimin e procesit të votimit, në ora 19 të ditës së diel……….

Sonte në mesnatë do të përfundojë fushata e zgjedhjeve presidenciale dhe ajo e atyre parlamentare. Në mesnatë do të hyjë në fuqi heshtja zgjedhore që do të zgjasë deri në përfundimin e procesit të votimit, në ora 19 të ditës së diel.
Zgjedhjet të shtunën do të zhvillohen edhe në diasporë, ku mbi 23 mijë votues të regjistruar do të zgjedhin tre deputet të diasporës në Evropë, SHBA, Kanada dhe Australi. Nesër do të votojnë edhe të gjithë të burgosurit, personat e paaftë, si dhe të shpërngulurit në vend. Shërbimet administrative të MPB-së do të punojnë edhe gjatë fundjavës, përkatësisht të shtunën më 26 prill dhe në tërë Shtetin do të pranojnë dhe do t'i miratojnë kërkesat për letërnjoftim prej orës 08:30 deri në orën 16:30. Qytetarët, të cilët do të aplikojnë të shtunën apo të cilët kanë aplikuar ditëve paraprake, do të munden dokumentet personale t'i marrin edhe të dielën, sepse në ditën zgjedhore do të punojnë të gjitha shërbimet administrative.
Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura që procesi zgjedhorë të jetë i siguruar, të kalojë qetë dhe në mënyrë sa më demokratike, ndërsa për këtë çështje ka formuar edhe shtab operativ për ditën e zgjedhjeve, organ ky që do të drejtohet vetë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Zgjedhjet e 27 prillit do të vëzhgohen nga 9 mijë vëzhgues vendor dhe mbi 400 vëzhgues të huaj.
Këto janë zgjedhjet e pesta presidenciale, si dhe zgjedhjet e shtata parlamentare nga pavarësimi i vendit. (Afrim Tanallari, TVM2)
