Maqedoni

“Përgjegjësi shoqërore 2016”, rritet numri i kompanive konkurruese

04.11.2016 15:17

Është rritur numri i kompanive të Maqedonisë të cilat investojnë në praktikat me përgjegjësi shoqërore...

Sivjet pothuajse një e treta e kompanive të cilat kanë konkurruar për çmimin kombëtar për praktikë më të mirë me përgjegjësi shoqërore, për herë të parë aplikuan për këtë mirënjohje.
 
Një ndër ndërmarrjet që tanimë ka traditë për përgjegjësi shoqërore është edhe “Dauti Komerc”, që këtë vit u shpërblye me projektin “Kodeksi Etik”.
 
“Ajo që duhet nxitur është që të marrin pjesë, të konkurrojnë, t’i evidentojmë, t’i regjistrojmë dhe të aplikojnë në këso trupash ku  vlerësohet dhe kategorizohet  niveli i përgjegjësisë shoqërore”,- tha fituesi i shpërblimit, Xhemail Dauti.
 
Kompanitë e Maqedonisë kanë përgjegjësi shoqërore, por ndonjëherë nuk janë të vetëdijshme për një gjë të tillë. Përgjegjësia shoqërore përmirëson imazhin e kompanisë, thonë kompetentët.
 
“Në përgjithësi ndërmarrjet në Maqedoni kanë përgjegjësi shoqërore, por nuk janë të vetëdijshme, sepse zbatojnë praktika që ende nuk mund t’i njohin si të dobishme për vetë kompanitë”,- tha kryetari i Konfederatës së bizneseve në Maqedoni, Mile Boshkovski.
 
"Sa kemi arritur për këtë gjë flet edhe fakti që në nëntë vitet e fundit gjithsej 165 ndërmarrje kanë paraqitur, 499 praktika të cilat i kanë zbatuar dhe me të cilat e kanë demonstruar përgjegjësinë e tyre duke treguar se qëllimi i tyre nuk është vetëm krijimi i përfitimit, por edhe kujdesi për të punësuarit dhe klientët dhe ruajtja e mjedisit jetësor”,- theksoi ministri i Ekonomisë, Driton Kuqi.
 
Gjithsej janë paraqitur 38 projekte në kategori të ndryshme, si “Kodeksi etik”, “Mbrojtja e ambientit jetësor”, “Investime në shoqëri” etj.
 
REJHANE BUSHI-METAJ