Maqedoni

Aksidenti i Spasovit, dëshmitarët i ndryshojnë deklaratat

04.11.2016 16:19

Pas bërjes publike të video-xhirimeve se kush drejtonte me automjetin që shkaktoi dy aksidente të premten mbrëma...

Pas bërjes publike të video-xhirimeve se kush drejtonte me automjetin që shkaktoi dy aksidente të premten mbrëma, zëvendësministri i Punës dhe Politikes Sociale, Dime Spasov, pranoi se ai ka drejtuar me veturën zyrtare "Volësvagen Tuareg".
 
Pas kësaj deklarate edhe dy dëshmitarët e tjerë menjëherë kanë ndryshuar deklarimet e para të dhëna në polici. Shoferi M. T., që u paraqit në MPB, tashmë pranon se deklaratën e rreme e ka dhënë për ta mbrojtur zëvendësministrin.
 
Deklaratën e ka ndryshuar edhe bashkudhëtarja e Spasovit, e cila paraprakisht deklaroi se nuk kanë qenë të sulmuar. T. K.  thotë se kur e dha deklaratën e parë ka qenë e stresuar.
 
Personat që Spasov thotë se e kanë ndjekur, kanë shkuar vetë në polici për të paraqitur se një veturë është përplasur me ta dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. Identitetin e drejtuesit e të veturës ata thonë se e kanë mësuar vetëm kur policia e ka ndaluar për ta legjitimuar. 
 
LSDM edhe sot ka kërkuar që Spasov të mbajë përgjegjësi për këtë rast. 
 
MPB dje ka ngritur tre kallëzime kundërvajtëse ndaj zëvendësministrit Spasov, për ikje nga vendi i ngjarjes pas aksidenteve të shkaktuara, për mosrespektim të urdhrave të policisë dhe për vozitje të shpejtë. 
 
Vetë Spasov e akuzoi dje MPB-në për përgatitjen e një skenari të kurdisur përmes policisë kriminale për të dëmtuar reputacionin e tij, duke i quajtur akuzat keqpërdorim klasik i institucionit për qëllime politike.
 
GAZMEND KURTISHI