Maqedoni
“Modem”: TVM informon në mënyrë të balancuar
04.11.2016 16:47
Lajmet televizive në televizionet kombëtare përqendrohen në transmetim të thjeshtë të ngjarjeve, por pa angazhim gazetaresk...

Lajmet televizive në televizionet kombëtare përqendrohen në transmetim të thjeshtë të ngjarjeve, por pa angazhim gazetaresk.
Ky është konstatimi nga raporti i Monitorimit të demokracisë në Maqedoni-“Modem”, i cili i dedikohet përmbajtjes së mediumeve të emituara në servisin publik dhe në televizionet komerciale me koncesion kombëtar.
Nga 12 televizione të monitoruara, tek shtatë televizione shfrytëzohet vetëm një burim i informatave, duke përjashtuar këtu TVM2, Alsat-M dhe TV21.
RTVM informon për të gjitha ngjarjet aktuale politike, pa hyrë në analiza dhe pa marrë qëndrim gazetaresk afrimativ, negativ apo kritik.
Për aktivitetet e subjekteve kryesore politike, Servisi Publik informon në mënyrë të balancuar, përveçse në TVM1, ku rreth aktiviteteve të funksionarëve të qeverisë më shumë hapësirë i jepet VMRO-DPMNE-së sesa LSDM-së. Në televizionet private vërehet shtim i kronikave rreth aktiviteteve parazgjedhore të partive politike. Por, sipas raportit, në lajmet e televizioneve Kanal5, Sitel, Tv Nova dhe Alfa vërehet disbalanc i theksuar.
“Tek këto televizione është vërejtur disbalanc në përfshirjen e subjekteve politike në favor të VMRO-DPMNE-së dhe në dëm të LSDM-së. Kjo vërehet edhe në promovimin e masave qeveritare dhe aktiviteteve të ministrave të VMRO-DPMNE-së dhe kryetarit të saj, Gruevskit. Në këtë mënyrë, ata përsëri e kapërcejnë kufirin me partitë dhe institucionet e shtetit”,- thuhet në raport.
Vëzhgimi është bërë në periudhën prej 3 deri më 14 tetor, në kuadër të projektit “Shprehja e interesit publik: Rritja e fuqisë së organizatave qytetare të Maqedonisë”, që zbatohet nga Instituti për studime të komunikimit, mbështetur nga Ambasada Britanike në Shkup.
ERSAN PAJAZITI
