Maqedoni
Raport-progresi i KE-së, Ademi: Pres të ruajmë rekomandimin e kushtëzuar
04.11.2016 17:27
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi, në një takim me gazetarë është shprehur optimist se Maqedonia në raportin e Komisionit Europian...

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi, në një takim me gazetarë është shprehur optimist se Maqedonia në raportin e Komisionit Europian, që do të publikohet më 9 nëntor, do ta ruajë rekomandimin për çeljen e bisedimeve me BE-në, por i njëjti do të jetë i kushtëzuar me zgjedhjet fer dhe demokratike.
Ruajtja e rekomandimit, sipas Ademit, vërteton perspektivat euroatlantike të vendit dhe paraqet shtytje për vazhdimin e reformave të filluara.
“Raportin e shoh si vlerësim objektiv dhe real për gjendjen në të cilën gjendemi. Presim të nënvizohen të gjitha aspektet pozitive, të arriturat tona në periudhën e kaluar, por do të ketë edhe vërejtje dhe rekomandime për aktivitetet në të cilat do të duhet të fokusohemi në periudhën që vjen, deri në publikimin e raportit të radhës”,- u shpreh Ademi.
Ademi pret që raporti të përmbajë vërejtje në pjesën e kritereve politike, posaçërisht në fushat të cilat kanë të bëjnë me reformat urgjente.
Në pyetjen se a mund të merret rekomandimi në rast se zgjedhjet nuk përmbushin standardet e kërkuara, Ademi është shprehur se gjithë aktorët politik do të sillen me përgjegjësi, pasi që janë të vetëdijshëm për rëndësinë e zgjedhjeve. Sa i takon prokurorisë së Katica Janevës, Ademi tha se ky institucioni ka rol kyç në kthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet.
“Obligim i çdo partie dhe institucioni është që të mbështesë PPS-në. Shpresoj se ajo do ta kryejë punën për të cilën është formuar”,- theksoi Ademi.
Takimi i këshillit të BE-së pritet të mbahet një ditë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit për të publikuar raportin final për zgjerim bashkë me rekomandimet për vendin. Rezultatet e zgjedhjeve do të përfshihen në këtë raport. Në rast se procesi zgjedhor ka mangësi, atëherë raporti me rekomandimet pritet të shqyrtohet më 14 dhe 15 dhjetor, dhe një ditë më vonë të konstatohen konkluzat.
MERAL ISMAILI
