Maqedoni

“Ne jemi mediat”, udhëzues për gazetari qytetare

04.11.2016 17:38

Në kuadër të projektit “Objektivi qytetar”, Organizata Joqeveritare “Civil” ka prezantuar një udhëzues për gazetarinë qytetare me titull “Ne jemi mediat”...

Xhabir Deralla nga “Civil” ka inkurajuar qytetarët që të raportojnë pa frikë për ngjarjet dhe temat të cilat e prekin komunitetin e tyre dhe shoqërinë në përgjithësi. Sipas tij, ka ikur koha kur të drejtën e informimit në mënyrë ekskluzive e mbanin vetëm mediat.
 
“Ky është libër i cili sqaron se mund të jeni në ballë të protestës, por njëkohësisht të raportoni për të. I inkurajojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë vetëm një aparat të thjeshtë celularë me android, se edhe ata mund të jenë një media. Ka ikur koha kur mediat ishin fuqia dhe kur kanë mbizotëruar me faktet dhe të vërtetën dhe pothuajse edhe me jetën. Tani një telefon i thjeshtë celularë apo rrjet social mund të arrijë më shumë shikueshmëri”,- deklaroi Xhabir Deralla nga OJQ “Civil”.
 
Qytetarët gazetarë në vazhdimësi përballen me presione të ndryshme dhe degradim të profesionit të tyre, si në aspektin etik po ashtu edhe në aspektin e kushteve të punës. Në këtë drejtim reforma thelbësore do të duhet të pasojnë, theksoi Deralla.
 
NAIM RAMADANI