Ahmeti takoi ambasadoren e Gjermanisë
Ambasadorja gjermane shprehu interesim rreth zgjedhjeve parlamentare dhe ato presidenciale, si dhe zhvillimeve politike në vend dhe reformave që nevojiten për të plotësuar standardet e Bashkimit Evropian………..
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Z. Ali Ahmeti, ka pritur sot në selinë e partisë në Tetovë, ambasadoren e Gjermanisë në Maqedoni, zonjën Gudrum Shtajnaker.
Ambasadorja gjermane shprehu interesim rreth zgjedhjeve parlamentare dhe ato presidenciale, si dhe zhvillimeve politike në vend dhe reformave që nevojiten për të plotësuar standardet e Bashkimit Evropian.
Kryetari Ahmeti siguroi ambasadoren gjermane për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor më 27 prill, si dhe shprehu bindjen për fitoren bindëse të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Në lidhje me zgjedhjet presidenciale, kryetari Ahmeti theksoi që BDI nuk ka kandidat të vetin dhe nuk ka asnjë arsye që të mbështes kandidatët e partive tjera dhe t’i fton votuesit e vet që të votojnë për partitë tjera.
Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdon të promovojë idenë e konsensusalitetit që buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe që mundëson pajtim dhe afrim midis komuniteteve.
Në lidhje me reformat e nevojitura në gjyqësor, liri të mediave, luftë kundër korrupsionit dhe të tjerave, kryetari Ahmeti nënvizoi gatishmërinë e BDI-së që në partneritet me komunitetin ndërkombëtar, të realizojë të gjitha reformat, por ftoi miqtë ndërkombëtar që të përqendrohen më tepër në zgjidhjen e çështjes së emrit, si pengesa më serioze që pengon integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.
Pikërisht integrimi euroatlantik do të jetë kryefjala e veprimit politik të BDI në Qeverinë e re pas 27 prillit dhe pas marrjes së legjitimitetit të plotë nga populli shqiptar në zgjedhjet e së dielës. Për ta realizuar këtë synim të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, na duhet një bashkëpunim i afërt dhe i ngushtë me komunitetin ndërkombëtar dhe z. Ahmeti ftoi Berlinin zyrtar që të angazhohet drejtpërdrejt në zgjidhjen e kontestit me emrin. (Flutura Latifi, TVM2)
