Maqedoni
Rasti “Kështjella”, Gjykata Penale caktoi seancë për lëndën
04.11.2016 18:21
Seanca gjyqësore për rastin “Kështjella” është caktuar për më 28 nëntor të këtij viti...

“Kështjella” është akti i dytë penal i dorëzuar nga ana e Prokurorisë Speciale deri tek Gjykata Themelore Shkupi 1, që ka të bëjë me shkatërrimin e dokumentacionit nga sistemi i përgjimeve.
Për lëndën në fjalë Prokuroria Speciale ka ngritur hetimin për shtatë persona të dyshuar për falsifikim të dokumentacionit zyrtar.
Në konferencën që PSP e mbajti për publikimin e lëndës në fjalë, prokurorja speciale, Fatime Fetai, pati deklaruar se janë siguruar dëshmi edhe për vepra të tjera penale të bëra me qëllim, për të pamundësuar zbulimin e veprave penale paraprake, që kanë rezultuar deri në shkatërrimin e plotë të aparaturës së përgjimeve.
Paraprakisht, Gjykata Penale Shkupi 1 caktoi seancë edhe për lëndën hetimore të PSP-së rreth ngjarjeve në komunën Qendër për më datën 21 nëntor.
