BDI: “Shkupi 2014” mban vulën e PDSH-së
Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate ka reaguar ndaj pres-konferencës së PDSH-së lidhur me projektin “Shkupi 2014”…………

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate ka reaguar ndaj pres-konferencës së PDSH-së lidhur me projektin “Shkupi 2014”. Me këtë rast, BDI ka publikuar edhe dëshmi për autorësinë e PDSH-së për projektin në fjalë. Në reagimin e BDI-së thuhet se:
“PDSH po bëhet gaz i botës duke na akuzuar ne për projektet që mbajnë vulën dhe firmën e ministrave të saj. Kjo parti është bashkëideatore e projektit “Shkupi 2014” dhe ky fakt është i shkruar në dokumentet zyrtare dhe është vërtetuar me zë e me figurë nga funksionarët e saj. Në vend se të bënte akuza të paqena nga vendi i krimit, të cilit iu rikthye pas 6 vitesh, PDSH duhej të kërkonte falje, se ideoi dhe miratoi dhjetëra përmendore maqedonase dhe ndërtimin e kishës në sheshin e Shkupit, nga pozicioni i një partie pa legjitimitet, e dorëzuar plotësisht në prehrin e VMRO-DPMNE-së”.
Në komunikatën e BDI-se gjithashtu thuhet:
“PDSH gjeti në vitin 2006 qeverisjen në rrugë të drejtë kombëtare dhe ia la BDI-së dhe shqiptarëve në vitin 2008 me një mori projektesh antishqiptare. Vetëm një parti politike siç është BDI, me mbështetjen plebishitare nga populli, do të arrinte të ndalte ndërtimin e kishës në zemër të Shkupit dhe t’i jepte karakter shumetnik projektit antishqiptarë të PDSH-së “Shkupi 2014”, duke inkuadruar projektin e sheshit “Skënderbeu” dhe përmendoret tjera”.
Sipas BDI-së, PDSH e filloi dhe e mbaroi fushatën e zgjedhjeve parlamentare me akuza dhe me shpifje, por të dielën kjo parti do të marrë dënimin e merituar, ashtu siç iu dha nga shqiptarët në të gjitha ciklet zgjedhore, nga viti 2002 e deri më 13 prill 2014, thuhet më tej në reagimin e BDI-së. (Besim Abdullai, TVM2)
