RDK ka tubuar simpatizuesit në Tetovë
Rilindja Demokratike Kombëtare tubimin parazgjedhor mbrëmë e ka mbajtur në qytetin e Tetovës. Kryetari i RDK-së dhe bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër gjashtë, Rufi Osmani, numëroi dështimet e Qeverisë së deritanishme në plan ekonomik dhe politik……...

Rilindja Demokratike Kombëtare tubimin parazgjedhor mbrëmë e ka mbajtur në qytetin e Tetovës. Kryetari i RDK-së dhe bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër gjashtë, Rufi Osmani, numëroi dështimet e Qeverisë së deritanishme në plan ekonomik dhe politik.
Platforma e RDK-së do t’i ofrojë shqiptarëve një mirëqenie më të mirë ekonomike, do t’ua kthejë dinjitetin dhe do të shmang padrejtësitë që bëhen ndaj shqiptarëve.
“Ne kemi ofertën e mirëfilltë, kemi njerëzit e dijes, njerëzit e mendjes, njerëzit e drejt dhe të kulturës”, - potencoi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani.
Kandidati për deputet nga radhët e kësaj partie, Izet Zeqiri, para elektoratit shpalosi platformën të cilën RDK-ja do ta realizojë nëse fiton mandatin e ardhshëm për t’i përfaqësuar shqiptarët.
Nga RDK thanë se do të iniciojnë ndryshimin e ligjit për flamurin kombëtarë, do te propozojnë ligjin për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të UCK-së, invalidëve të luftës dhe familjeve të tyre. Ata thanë se nëse besimi i jepet RDK-së, do të iniciojnë dhe propozojnë ndryshimin e ligjit për nëpunësit publik dhe shtetëror, me qëllim që të realizohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve. Ndryshime do të bëhet edhe në ligjin për realizimin e buxhetit dhe ligje tjera të shumta që do të jenë në favor të zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë.
“Ne bashkërisht do të punojmë për avancimin e barazisë nacionale të shqiptarëve në Maqedoni. Ne në gjashtë muajt e parë do të propozojmë ndryshime në ligjin e gjuhëve, që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare”, - tha kandidati për deputet, Izet Zeqiri.
Me këtë rast u tha se shqiptarët duhet të marrin 25 % nga buxheti, për të investuar dhe hapur vende të reja të punës, gjë e cila do të parandalojë shpërnguljen e rinisë shqiptare nga vendi. (Florije Kamberi, TVM2)
