Maqedoni

Progres raporti i KE-së, Sela: Shumë kritika dhe rekomandim të kushtëzuar; Ruzhin: Zgjedhjet kyçe për ruajtjen e rekomandimit

05.11.2016 18:32

Progres raporti i Komisionit Europian për Maqedoninë që do të publikohet më 9 nëntor pritet të jetë objektiv por me shumë kritika, vlerësojnë analistët e vendit...

Profesori universitar Ylber Sela thotë se kritikat do të shtrihen në më shumë fusha. Sela thotë se nuk do të mungojë as rekomandimi  I cili do të kushtëzohet me mbajtjen e zgjedhjeve fer dhe demokratike.
 
“Besoj që do të kemi shumë kritika sa I përket gjyqësorit, mediave, administratës, krimit të organizuar. Do të ketë edhe vlerësime positive siç janë arritjet që janë bërë në kuadër të marrëveshjes Përzhino 1 dhe Përzhino 2 dhe duke dhënë rekomandimet që Maqedonia të shkojë drejt zgjehdjeve fer dhe korrekte të cilat do të jenë shumë të domosdoshme të fillojë zhvillimi I një demokracie të mirfillt. Mendoj se do të jetë I kushtëzuar, sepse këto zgjedhje që do të vijnë do të jenë shumë të rëndësishme dhe shumë jetike për Maqedoninë, për qytetarët dhe rrugën euroatlantike të saj”, shprehet analisti Ylber Sela.
 
Edhe profesori universitar Nano Ruzhin konsideron se maqedonia nuk do të përballet me raport të komplimenteve, por raport të vërejtjeve, kritikave dhe rekomandimeve se si do të duhet të veprohet më tutje.
 
Nëse nuk diqen këshillat e Komisionit Europian dhe apelet për zgjedhje fer dhe demokratike, Ruzhin druan se mund të rrezikohet edhe rekomandimi.
 
“Në rast se arrijmë të përmbushim kërkesat para zgjedhjeve dhe pas tyre, atëherë vetëm se do të na rikujtojnë se Maqedonia synon demokracinë, në të kundërtën rrezikojmë që pas zgjedhjeve të jemi mjaft të kritikuar madje edhe me kërcënime për marrjen e rekomandimit. Andaj edhe do të apelohet deri tek partitë politike që të respektojnë Marrëveshjen e Përzhinës, të respektojnë rekomandimet e Pribesë me gjitha parametrat siç janë sundimi i së drejtës, mediat e lira, prokuroria speciale si mjete të vetme të cilat mund të nxjerin vendin nga kriza politike”, shprehet analisti Nano Ruzhin.
 
Analistët konsiderojnë se theks të veçantë do ti vehet edhe punës së prokurorisë speciale. Sipas analistit Ruzhin nuk përjashtohet mundësia që të sugjerohet edhe formimi i repartit special gjyqësor për të lehtësuar punën e prokurorisë së Katica Janevës.
 
MERAL ISMAILI