Botë

Vdekja e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, familja dhe Vetëvendosje dyshime të mëdha

06.11.2016 16:28

Në burgun e Prizrenit, në rrethana ende të pasqaruara, dje ka vdekur Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje...

Në burgun e Prizrenit, në rrethana ende të pasqaruara, dje ka vdekur Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ndodhej nën masën e paraburgimit, pasi u arrestua javë më parë me akuzën për përfshirje në sulmin me armë zjarri mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Zyrtarët Policorë në Kosovë kanë thënë se i ndjeri Dehari ka përdorur “një sasi barnash, duke rënë në koma” por nuk dhanë asnjë hollësi tjetër.
 
Prokuroria e Prizrenit e ka cilësuar vdekjen ‘si të dyshimtë” dhe ka thënë se po kryen hetimet për të ndriçuar rrethanat.
 
Sylë Hoxha, kryeprokurori i kësaj prokurorie bëri të ditur se e ka parë trupin e viktimës. Ka gërvishtje në qafë e në duar.
 
"Kemi informata se ka përdorë medikamente, mirëpo asgjë në shumë nuk mund të themi për momentin. Jemi në pritje të ekipeve të mjekësisë ligjore për detaje më të sigurta,” ka deklaruar kryeprokurori Hoxha.
 
Familja dehari dhe drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dyshime të mëdha në lidhje me vdekjen e aktivistit të tyre, Astrit Derhari. Ata duke kërkuar që gjatë autopsisë të marrin pjesë edhe ekspertë nga jashtë, kanë thanë se Astriti është viktimë e pushtetit dhe regjimit.
 
“Astriti nuk ka vdekur në spital, Astriti ka shkuar i vdekur në spital kjo është e vërtet edhe zyrtare. Astriti një javë para se të ndodhte rasti me kërkesën e tij i ka bërë analizat në burg që kanë treguar që nuk vuan nga asnjë problem, e konfirmuar nga zyrtarët e burgjeve të Kosovës, Astrit Derhari nuk ka qenë duke marrur asnjë medikament apo tabletë për gjatë gjithë kohës sa ka qëndruar në burg dhe kjo është zyrtare dhe e konfirmuar“, shprehet Dardan Molliqaj nga Vetëvendosje.
 
Edhe familja Dehari, për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës, kërkon nga Departmenti i Mjekësisë Ligjore që autopsia e trupit të djalit të tyre Astrit Dehari të mos bëhet në asnjë mënyrë pa prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga familja.
 
Deklarimet institucionale që e cilësojnë si të dyshimtë vdekjen e djalit tonë, si dhe kontradiktat në deklaratat e institucioneve të ndryshme, janë tejet shqetësuese për ne dhe insistojmë që në asnjë mënyrë të mos bëhet autopsia pa prezencën e mjekëve që do të caktohen nga familja.
 
Ndryshe familja Dehari është me Origjinë nga rajoni i Kumanovës, ndërsa jeton prej vitesh në Prishtinë.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU