Maqedoni
Rotacioni i pestë i policisë sllovake në Maqedoni
07.11.2016 09:15
Njëzet e pesë pjesëtarë të policisë së Sllovakisë sot do të arrijnë në Maqedoni që të zbatojnë aktivitete për patrullim...

Njëzet e pesë pjesëtarë të policisë së Sllovakisë sot do të arrijnë në Maqedoni që të zbatojnë aktivitete për patrullim të përbashkët me kolegët e Maqedonisë në kufirin shtetëror me Greqinë, informoi sot Ambasada e Republikës së Sllovakisë në Shkup.
Rotacioni i pestë i 25 pjesëtarëve të policisë sllovake është në bazë të Memorandumit për mirëkuptim mes ministrive të punëve të brendshme të Republikës së Sllovakisë dhe Republikës së Maqedonisë.
Policët sllovakë, siç theksohet në kumtesën nga Ambasada e Sllovakisë, do të zbatojnë aktivitete për patrullim të përbashkët me kolegët e Maqedonisë në kufirin shtetëror me Greqinë, me qëllim të parandalimit në rajonin e sigurisë publike dhe kalimit të paautorizuar të kufirit shtetëror. Njësiti policor sllovak sërish do të sistemohet në rajonin e Liqenit të Dojranit.
Policët do jenë të pajisur në mënyrë përkatëse - me automjete motorike terreni, kamera terminali dhe pajisje për shikim gjatë natës. Mandati i misionit policor sllovak do të jetë 30 ditë me mundësi për vazhdim.
Republika sllovake deri tani dërgoi gjithsej 125 nëpunës policorë në Maqedoni që është kontributi më i madh në kokë banori prej tetë shteteve të huaja të cilat marrin pjesë në operacionet e përbashkëta në Republikën e Maqedonisë. Krahas 125 policëve të dërguar deri tani në kufirin Maqedoni-Greqi, në mënyrë shtesë 15 policë sllovakë aktualisht janë sistemuar në kufirin Maqedoni-Serbi.
Ndihma është shprehur në solidarizim të zgjidhjes së krizës migruese dhe në kontekst të presidencës aktuale sllovake në Këshillin e BE-së, ku një nga prioritetet është "politika e qëndrueshme emigruese dhe azilit"./Mia
