Trump sulmoi FBI-në, shfajësoi Clintonin për postën elektronike
Donald Trump akuzoi FBI-në për sjellje jokorrekte, pasi Byroja e Hetimeve shfajësoi për herë të dytë brenda pak muajsh rivalen e tij, Hillary Clinton, për çështjen e postës elektronike...

Drejtori i FBI-së, James Comey, sërish përmes një letre lajmëroi Kongresin se rishikimi i postës elektronike të Clintonit, ose rihapja e hetimit, nuk zbuloi asgjë të re për të ndryshuar përfundimin e hetimeve të verës, pra që Clinton nuk ka bërë asnjë krim.
Trump këmbëngul se është e pamundur që FBI-ja të ketë shqyrtuar 650 mijë e-maile të reja në kaq pak kohë. Aktualisht Clinton po mbrohet nga një sistem i manipuluar.
“Hillary Clinton është fajtore. Ajo e di këtë, FBI e di këtë dhe populli e di këtë”, deklaroi Trump.
Vetë Clinton nuk e përmendi fare shfajësimin e dytë të FBI-së, por ndihmësit e saj thanë se janë të lumtur që kjo çështje më në fund u zgjidh.
Publikimi i hetimit të ri nga FBI-ja vetëm 11 ditë para zgjedhjeve tronditi jo pak fushatën elektorale, ndërsa ripërtëritja e akuzave ndaj Clintonit konsiderohet gjerësisht si faktori kryesor i përmirësimit të sondazheve për Trumpin.
