Botë

Ndotja në New Dehli 90 herë më e lartë se niveli i lejuar nga OBSh

07.11.2016 12:36

Në kryeqytetin indian, Nju Delhi, shkollat për tre ditë do të qëndrojnë të mbyllura pas nivelit enorm të ndotjes, të matur gjatë fundjavës...

Autoritetet ndërprenë të gjitha aktivitetet ndërtimore dhe të gjitha rrugët do të spërkaten vazhdimisht me ujë.

Kryeqyteti indian është një nga qytetet më të ndotura në botë, por niveli i ndotjes këtë javë theu rekorde, pasi ndotja që mund të bllokojë mushkëritë arriti në 900 mikrogram për metër kubik.

Kjo shifër është 90 herë më e lartë se sa niveli i konsideruar i sigurt nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe 15 herë më e madhe se sa normat e qeverisë indiane.

Masa të tjera përfshijnë mbylljen për dhjetë ditë të një termocentrali me djegie qymyri dhe mospërdorimin për 10 ditë të gjeneratorëve të energjisë me motor nafte, përveç në spitale dhe kulla telefonike.

Autoritetet u apelojnë qytetarëve që të shmangin daljet derisa nivelet e ndotjes së ajrit të ulen dhe të punojnë nga shtëpia sa më shumë të jetë e mundur.