Maqedoni
Zgjedhjet e dhjetorit, edhe katër ditë afat për dorëzimin e listave
07.11.2016 12:52
Kanë mbetur edhe katër ditë deri në 11 nëntor, datë kjo kur partitë politike duhet t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë...

Deri tani, listat i kanë dorëzuar Partia Demokratike Shqiptare, Lidhja Socialdemokrate e Maqedoni dhe Partia Liberaldemokrate e Maqedonisë.
Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se listat janë afër fundit, por duket se po presin afatin e fundit ligjor për t’i bërë publike.
Tashmë spekulohet me emra në opinion, por asgjë nuk është e konfirmuar zyrtarisht, përveç kandidatit të njësisë së 7 zgjedhore, asaj të diasporës. Edhe LR-PDSh duket se i ka pranë mbylljes listat zgjedhore.
Tashmë dihen bartësit e listave në tre njësi. Edhe pse paralajmëroi se nuk dëshiron të jetë deputet, në njësinë e parë zgjedhore listës i prin Arben Taravari. Bartës liste në njësinë numër pesë do të jetë Syrja Rashiti.
Lideri i partisë, Zijadin Sela, do të jetë bartës i listës në njësinë numër gjashtë, një përballje kjo e drejtpërdrejtë me dy liderët e tjerë të bllokut politik shqiptar, Ahmetin dhe Thaçin.
Për emrat e tjerë edhe LR-PDSh pret afatin e fundit dhe dakordimet me partnerët e koalicionit “Aleanca për shqiptarët”.
Shqetësues momentalisht është fakti i mosinteresimit të diasporës për t’u paraqitur në votime.
