Botë

Tornado në Romë, dy të vdekur dhe dëme të mëdha materiale

07.11.2016 14:08

Pas tërmeteve që nuk kanë të ndalur, Italia është goditur edhe nga një tjetër fatkeqësi natyrore...

Vendi është përfshirë nga shira të fuqishëm, ndërkohë që në Romë është regjistruar edhe një tornado.
 
Erërat e forta dhe reshjet e shiut, që nisën një ditë më parë, kanë shkaktuar deri tani të paktën dy viktima. Sipas raportimeve në qytetin pranë Romës, Ladispoli, si pasojë e motit u shkatërrua një ndërtesë tetëkatëshe, duke lënë një të vdekur dhe disa të plagosur.
 
Ndërkohë, në veri të Romës, në Cessano, tornado shkaktoi vdekjen e një tjetër personi, kur një pemë ra mbi makinën e tij.
 
Era e fuqishme shkaktoi edhe dëme të mëdha materiale, ndërsa detyroi edhe ndërprerjen e transportit hekurudhor.
 
Moti ekstrem do të përfshijë këtë javë edhe një pjesë të Ballkanit, ku janë dhënë paralajmërime për përmbytje masive. 
 
Britania e Madhe, ndërkohë, është mbuluar nga dëbora. Temperaturat janë ulur nën zero pothuajse në të gjithë vendin, ndërsa në disa zona kanë arritur edhe në minus 4 gradë celsius.
 
Këto janë temperatura  më të ulëta se mesatarja e nëntorit. Në shumë rrugë dëbora ka arritur në disa centimetra, duke shkaktuar probleme për qytetarët, pasi disa prej rrugëve janë bllokuar.
 
LEUNORA KALIQI