Qeveria kosovare kërkon hetime të pavarura për vdekjen e Astrit Deharit
Ekspertiza ku do të qartësohet vdekja e dyshimtë e Astrit Deharit do të bëhet sot....

Ekspertiza ku do të qartësohet vdekja e dyshimtë e Astrit Deharit do të bëhet sot. Kështu tha ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Ajo ka treguar se në ekspertizë do të marrin pjesë ekspertët që ka propozuar familja e të ndjerit dhe ekspertë nga EULEX-i. Hoxha po ashtu tha se me qëllim të rishikimit dhe sqarimit sa më transparent të rastit, kanë angazhuar edhe Inspektoratin e Shërbimit Korrektues, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe posa të dalin me të gjeturat e tyre, këtë raport do ta bëjmë publik dhe në pajtim me të gjeturat e dala, do të ndërmerren hapat dhe veprimet tjera.
Ngushëllime familjes Dehari i ka shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai ka kërkuar hetime të pavarura për t’i ndriçuar rrethanat e vdekjes së 26 vjeçarit të shtunën në burgun e Prizrenit. Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur, ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 270 mijë euro, për Ministrinë e Punëve të Jashtme, për shlyerjen e obligimeve ndaj kompanisë “Patent Box” e cila ka kryer shërbime sipas kontratës së nënshkruar 28 shkurt 2014.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se kompania në fjalë i ka ndihmuar Qeverisë së Kosovës në forcimin e raporteve me SHBA-në dhe ka ndihmuar në anëtarësimet e shumta në organizatat të ndryshme ndërkombëtare.Këtu është fjala për shlyerje të pagesave nga viti i kaluar në mes të muajit korrik 2015, deri në dhjetor të vitit 2015.
