Maqedoni
Gjykata refuzoi PPS-në për “Tenderët”, nuk do të marrë masa kujdesi ndaj dy të dyshuarve
07.11.2016 14:44
Këshilli Gjyqësor pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1 ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Publike Speciale...

Këshilli Gjyqësor pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1 ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Publike Speciale për definimin e masave të kujdesit ndaj dy të dyshuarve kryesorë në rastin “Tenderët”.
Nga Gjykata deklaruan se e kanë diskutuar ankesën e Speciales kundër gjykatësit të procedurës paraprake dhe e kanë hedhur poshtë propozimin e Prokurorisë Publike Speciale. Rasti “Tenderët”, i hapur nga PPS, ka të bëjë me tenderët për ndërtimin e muzeut të VMRO-së.
E dyshuara kryesore për këtë rast është ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska.
Ajo i ka cilësuar akuzat e PPS-së si teatër politik të organizuar nga LSDM-ja opozitare me mbështetje të Prokurorisë Speciale dhe i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.
Për rastin “Tenderët” janë të dyshuar edhe tre anëtarë të Komisionit për furnizime publike në Ministrinë e Kulturës.
Kançevska Milevska akuzohet se ka keqpërdorur kompetencat zyrtare për favorizimin e kompanisë “Beton” – Shtip, e cila i ka kryer punët plotësuese ndërtimore për muzeun e VMRO-së.
PSP kërkon masë kujdesi për dy prej të akuzuarve, më saktë kërkon që atyre t’u merren pasaportat për të parandaluar ikjen e tyre eventuale jashtë vendit.
REJAHNE BUSHI-METAJ
