BDI

BDI prezantoi platformën në Tetovë

25.04.2014 20:11

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, u shpreh se subjekti që drejton ai, për dallim nga kundërshtari i saj politik, partneritet ka vetëm me votuesit shqiptarë, të cilët japin vulën se kush do t’i përfaqësojë në Qeveri……

BDI mbrëmë ka qëndruar para banorëve të Tetovës.

Kryetarja e komunës, Teuta Arifi, u shpreh se prezenca e madhe e qytetarëve në sheshin e qytetit në kushte me shi, dëshmon fitoren e integrtistëve më 27 prill.

“Kjo ditë më përkujton ditën kur për herë të parë kam dalë të flas në Tetovë, ishte një ditë me shi si kjo, ishte një ditë përplot si kjo, ishte dita kur BDI e bëri të qartë se për 12 vite me radhë do të mbështetet nga populli i vetë, siç është mbështetur deri më tani. Prandaj kryetar i nderuar, kjo ditë me shi është garancia se edhe 20 vitet e ardhshme janë vitet e BDI-së”, deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, u shpreh se subjekti që drejton ai, për dallim nga kundërshtari i saj politik, partneritet ka vetëm me votuesit shqiptarë, të cilët japin vulën se kush do t’i përfaqësojë në Qeveri.

“Ka edhe nga ata të cilët më vjen keq edhe si tezë edhe si projekt e kanë shumë gabim, e kam fjalën për oponentin tonë, ai thotë unë do të hyj në Qeveri, të hysh në Qeveri kërkush nuk të ndalon, s’ta ndalon kërkush, çdo qytetar ka të drejtë të hyjë në Qeveri, aq më tepër çdo pesë muaj, tre muaj, Qeveria organizon vizita me qytetarët, vizita për ide më të mira dhe aty shkon çdokush që do të kontribuojë. Ne nuk themi dhe ne nuk kërkojmë të jemi pjesë e Qeverisë. Ne kërkojmë mandat nga shqiptarët, ne kërkojmë legjitimitetin nga shqiptarët. Cilado forcë politike që e fiton legjitimitetin, ne e zgjasim dorën dhe i themi punë të mbarë dhe i qëndrojmë pas, por jo pa legjitimitet të shqiptarëve, jo pa përkrahje të shqiptarëve”, - u shpreh lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Duke kërkuar që më 27 prill qytetarët të mbështesin listat për deputet të BDI-së, Ahmeti kërkoi nga ata që ashtu si më 13 prill edhe kësaj radhe mos të votojnë për kandidatët maqedonas për president. (Mefail Ismaili, TVM2)