Maqedoni
Lidhja Demokratike: VMRO-DPMNE po u bën presion anëtarëve tanë
07.11.2016 15:02
VMRO-DPMNE po bën presione të koordinuara ndaj anëtarëve të Lidhjes Demokratike.

Kështu ka akuzuar sot sekretarja e përgjithshme e kësaj partie, Verica Filipovska. Sipas saj, partia në pushtet ka ofruar oferta korruptive për punësim me qëllim që anëtarët e Lidhjes Demokratike të kalojnë në partinë maqedonase në pushtet.
Nga Lidhja Demokratike thonë se nuk kanë informacione nëse presione të tilla u janë bërë edhe anëtarëve të tjerë të partive të Koalicionit për ndryshime dhe drejtësi. Filipovska thotë se për presionet do të njoftohet edhe MPB, KShZ,OSBE-ODIHR dhe përfaqësitë diplomatike.
“Lidhja Demokratike e informon opinionin se gjatë periudhës së fundit po ndodhin presione të koordinuara dhe organizuara nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE, ndaj anëtarëve tanë. Qëllimi i këtyre presioneve është që të zvogëlohet numri i anëtarëve dhe aktiviteti i Lidhjes Demokratike si parti e deklaruar opozitare në prag të zgjedhjeve parlamentare, të caktuara për më 11 dhjetor të vitit 2016. Të gjitha presionet e paraqitura ndaj anëtarëve tanë janë regjistruar dhe për të njëjtat do të njoftohet Ministria e Brendshme, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, OSBE-ODIHR, si dhe përfaqësitë diplomatike. Lidhja Demokratike edhe më tej do t’i regjistrojë dhe evidentojë të gjitha presionet ndaj anëtarëve dhe aktivistëve tanë dhe do t’i ndërmarrë të gjitha masat ligjore”,- deklaroi sekretarja e pergjithshme e LD-së, Verica Filipovska.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
