Maqedoni
Mjekët e “8 Shtatorit” në protesta, kërkojnë të ndalen sulmet ndaj tyre
07.11.2016 16:57
Punonjësit mjekësorë dhe mjekët e Qendrës Urgjente “8 Shtatori” në Shkup...

Punonjësit mjekësorë dhe mjekët e Qendrës Urgjente “8 Shtatori” në Shkup, përmes një proteste shprehën revoltën e tyre kundër sulmeve të shpeshta që u bëhen mjekëve në këtë spital.
Ata thonë se incidenti i fundit me demolimin e inventarit të këtij spitali nga ana e 30 personave i ka bindur ata se siguria e tyre është vënë në rrezik.
“Nuk është hera e parë që mjekët dhe punonjësit mjekësorë në përgjithësi të sulmohen nga pacientët brenda dhe jashtë orarit të punës. Këto incidente kryesisht ndodhin nga të afërmit për humbjen e ndonjë pacienti i cili është sjellë për mjekim këtu dhe në të shumtën e rasteve punonjësit në sportele dhe infermieret janë ata që pësojnë. Andaj mendoj se shteti duhet të ndërmerr masa urgjente dhe gjoba më të rrepta ndaj tyre”,- tha një mjeke.
“Pacientët janë gjithmonë nervoz. Kemi shumë probleme gjatë kryerjes së punës tonë. Ata na maltretojnë dhe kërcënojnë, ndërsa ka pasur raste edhe kur në parking na janë hakmarrë. Nuk e di përse është kështu, ne jemi këtu për t’i ndihmuar pacientët në nevojë”,- theksoi një mjek.
Disa ditë më parë, një grup prej rreth 30 personash, pas vdekjes së një të afërmi, demoluan dyert dhe pajisjet e këtij spitali, megjithatë nuk kanë sulmuar personelin mjekësor që ka qenë në punë.
REXHEP QAMILI
