Rikthehen reshjet në Shqipëri, përmbyten rrugët në Kukës e Gjirokastër

07.11.2016 17:01

Rikthimi i reshjeve me intensitet të lartë gjatë natës së të dielës...

Rikthimi i reshjeve me intensitet të lartë gjatë natës së të dielës kanë bërë që një pjesë e mirë e jugut të përmbytet.

Më e prekur nga reshjet ka qenë qyteti i Gjirokastrës, ku si pasojë e vërshimit të ujërave në të gjitha rrugët ka pasur probleme qarkullimi. Po ashtu nga prezenca e ujit dhe e gurëve nga përrenjtë malorë, rruga nacionale Gjirokastër-Kakavijë është bllokuar. Situata e përkeqësuar paraqitet edhe në fshatrat përreth, ku ka përmbytje masive të tokave bujqësore për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese.

Nga ana tjetër, për shkak të motit të keq në portin e Durrësit është pezulluar puna përkohësisht në disa sektorë. Anijet e peshkimit dhe ato tregtare të tonazhit të mesëm nuk janë lejuar të dalin në det, ku forca e ballëve shkon në 6.

Nuk ka pasur probleme me tragetet. Ka pasur rrëshqitje dherash e inertesh në Gjegjan të Fushë-Arrëzit. Në Kukës ka pasur përmbytje të akseve dytësore dhe bllokime të disa segmenteve si pasojë e rrëshqitjeve të gurëve në rrugë.

Instituti i Gjeoshkencave ka bërë thirrje që njerëzit të mos dalin jashtë këto dy ditë, pasi priten reshje të dendura shiu si dhe stuhi. Të njëjtën gjë ka paralajmëruar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj. (Luljeta Ndoka, TVM2)