Maqedoni

Zgjedhjet 2016, KShZ: 10 mijë paraqitje nga diaspora

07.11.2016 17:09

Më 11 dhjetor përmbyllet afati për paraqitjen e votuesve të diasporës...

Më 11 dhjetor përmbyllet afati për paraqitjen e votuesve të diasporës, për shqyrtimin publik të Listës Zgjedhore dhe dorëzimin e listave të deputetëve nga ana e partive politike.
 
Deri tani, në diasporë të drejtën e tyre për të votuar e kanë konfirmuar 10.235 persona përmes ueb aplikacionit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.
 
Prej tyre, 8258 janë të pranuar, 166 janë refuzuar, ndërsa të dhënat e kërkesave të mbetura ende po përpunohen. Sipas KShZ-së, më shumë paraqitje ka në Bern, Venecia dhe Detroit.
 
KShZ thotë se qytetarët që janë refuzuar kanë paraqitur dokumentacion të lëshuar nga organet e Maqedonisë edhe pse duhet të dorëzojnë vërtetim të lëshuar nga vendi në të cilin qëndrojnë përkohësisht.
 
KShZ përkujton se dokumentet të cilat pranohen si vërtetim për vendbanim jashtë vendit janë: Letërnjoftim i lëshuar nga organi kompetent në shtetet e huaja, vërtetim nga organi kompetent i shtetit të huaj për vendbanimin, apo adresën e personave në shtetin e huaj, leje pune të dhënë nga organe kompetente të shtetit të huaj, vizë pune, studentore apo vizë për qëndrim në shtetin e huaj, leje për vozitje të dhënë nga organet e shtetit të huaj, në të cilën është e shënuar adresa dhe vendbanimi i personit në shtetin e huaj, pasaportë diplomatike të Maqedonisë apo dokument tjetër i cili tregon se personi është i punësuar në zyrat diplomatike konsulare të Maqedonisë jashtë shtetit dhe dokument tjetër i cili vërteton se personi është në qëndrim të përkohshëm jashtë shtetit për më shumë se tre muaj, apo për punë të përkohshme jashtë shtetit për më shumë se një vit.
 
Nga ana tjetër, inspektim publik kanë bërë gjithsej 4236 qytetarë. Në lidhje me lajmërimin e 29.858 qytetarëve, të dhënat e të cilëve pas kontrolleve të kryera kanë mbetur jokonsistent në listën zgjedhore, KShZ informon se përmes ueb aplikacionit janë lajmëruar gjithsej 522 persona. Prej tyre janë pranuar 540, katër janë në përpunim, ndërsa tetë janë në fazën e rishikimit. 
 
ERSAN PAJAZITI