Maqedoni
IPE: sundimi i ligjit shënon ngecje Jordanova: raporti i KE-së, rekomandim me kusht
07.11.2016 18:00
Maqedonia ka shënuar ngecje në fushën e sundimit të ligjit gjatë vitit të kaluar...

Instituti për Politikë Europiane në Shkup ka konstatuar se pavarësisht stabilizimit të gjendjes politike me Marrëveshjen e Përzhinës, Përzhina 2, gjatë vitit të kaluar kemi ngecje në të gjitha sferat e sundimit të ligjit, pasi çdo gjë është koncentruar në bisedimet politike dhe shumë pak në zbatimin e reformave.
Madje, drejtoresha e këtij Instituti thotë se shumë aktivitete të koalicionit qeverisës kanë qenë në kundërshtim me kërkesat e Marrëveshjes së Përzhinës.
Duke pasur parasysh këtë gjendje, Jordanova thotë se vlerësimet e KE-së në Raportin e progresit do të jenë pozitive rreth zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinës, ndërsa rekomandimi do të kushtëzohet me zgjedhje korrekte, demokratike dhe zbatimin e reformave prioritare.
“Pritjet janë se Raporti, sa i përket konstatimit, do të jetë “status quo”, që d.m.th. nuk do të ketë rekomandim, por formulim se Komisioni është i gatshëm nëse zgjedhjet mbahen në mënyrën më të mirë të mundshme, e pastaj edhe zbatimi i reformave prioritare urgjente. Raporti do të jetë kritik, por më i rëndësishëm është konkluzioni, i cili do të lë hapësirë për proces të mëtejshëm”,- deklaroi Malinka R. Jordanova nga IPE.
Edhe profesori universitar, Nano Ruzhin, thotë se sundimi i ligjit është vlerë europiane dhe lidhet drejtpërdrejtë me ambiciet e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE. Edhe Ruzhin vlerëson se sundimi i ligjit është shkelur nga ekzekutivi.
“Vetë fakti që ne kemi prokuror publik special është vetëm dëshmi se sundimi i ligjit është vlerë e shkelur nga ana e politikanëve. Ajo ka qenë e shkelur edhe para kësaj qeverie, por duke marrë parasysh evolucionin, ne duhet të mbajmë llogari se sa më shumë kohë kalon, Maqedonia duhet ta respektojë sundimin e ligjit dhe sistemin e kundërpushtetit, përkatësisht të kontrollit të qeverisë”,- theksoi prof. Universitar, Nano Ruzhin.
Instituti për Politikë Europiane në Shkup vlerëson se gjendja me sundimin e ligjit në vend duhet të ndiqet nga institute dhe shoqata vendore, pasi nuk përjashtohet mundësia që KE të fillojë të hartojë raporte progresi çdo dy vjet.
SHPËTIM NUREDINI
